Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i ka cilësuar si çmenduri ekstreme akuzuat që qarkullojnë ndaj liderit të PD-së, Lulzim Basha se ka fshehur kasetën e masakrës në Krushë të Madhe gjatë kohës që ishte punonjës i UNMIK.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Salianji tha se një gjë e tillë bëhet për të fituar politikisht, duke shtuar se asgjë që thuhet nuk mund të shkojë më larg se sa teoritë konspirative.

“Është një fatkeqësi që në një situatë të vështirë për kombin dhe drejtuesit kryesorë të luftës së UÇK, qeveria shqiptare, se atë përfaqëson Rama, është në një situatë çmendurie ekstreme.

Në vend që t’i mbrojë juridikisht që të pastrohen nga akuzuat qesharake, se s’mund të barazosh viktimat me agresorët, Rama gjen kohë të merret me lojëra si këto, montime për të qeshur.

Është çështje serioze për tu talluar kaq rëndë nga Rama.

Të vetmet kaseta që duhet të hetohen janë ato të dosjes 186 apo 339 ku gjithë hierarkia më e lartë e PS përfshi dhe Ramën janë përfshirë në afera korruptive për shitblerjen e votës. E gjitha kjo pjesa tjetër është largimi i vëmendjes nga shqetësime si pandemia, ekonomia etj. Qeverisë shqiptare i takon që bashkë me atë në Kosovës të punojë për heqjen e akuzave.

Cdo qytetar e kupton qëllimin kur pyet a i shërben kjo kauzës kombëtare? Shqipërisë apo Kosovës? Këto janë të qarta. Dëmtojnë Shqipërinë dhe Kosovën, luftën e UCK. Këto bëhen për të krijuar një lloj llumnaje tek militantët për të fituar politkisht. Këto janë aq akuza bajate sa bëhen për të ushqyer njerëz që besojnë në teori konsporative. Nëse ka njerëz që besojnë se kanë komunikuar me ufot, aq mund të jetë edhe kjo histori e vërtetë”,- tha ai.

A duhet të ketë një shpjegim?
Kryetari i opozitës ka pasur qëndrime të qarta, por një akuzë e stisur pas 20 vitesh dhe nuk mundesh të dalësh e të flasësh për cdo akuzë qesharake nga Balla e Basha. Për punën e tij, që ka mbledhur prova për serbët në luftë e që kanë shkuar në Hagë, ai ka folur. Nuk mund të dilet për çdo Griseldë që shpik PS, të dilet e të komentohet. Kur ishim në protesta shpikën atë shashkën me lobime ruse, për të marrë vëmendjen e publikut dhe mediave.

Qëndrimi i opozitës për buxhetin e miratur…
Buxheti nuk adreson asnjë prej nevojave të shqiptarëve. Ky ëhstë buxheti që kalon sa më shumë para në duar të oligarkëve dhe koncesionarëve. Paratë janë përqendruar në duart e 10 njerëzve. Duhej mbështetje më e fortë për shëndetësinë që të ruhej shëndeti i qytetarëve.

Si po menaxhohet situata nga Covid, a e ka qeveria në kontroll?
Do të donim shumë të ishte ashtu, që sistemi të ishte i përgatitur për këtë situatë, por të dhënat në terren për fat të keq tregojnë që spitalet janë tejmbushur e që qeveria e ka marrë me të qeshur përballjen. Ndërkohë që nga ana tjetër kemi një tentativë të kryeministrit për ta fshehur realitetin, për ta mbuluar atë. Nuk dua të bëj ekspertin e shëndetësisë por fillimisht ju thonë rrini në shtëpi njerëzve, pastaj kur pacienti shkon në spital e ndodh më e keqja thonë erdhi shumë vonë.

Në PD ka një vonesë në përzgjedhjen e kandidatëve?
Asnjë parti s’ka pasur përgatitje kaq të shpejtë. PD për herë të parë ka korpusin e kandidatëve, ka përgatitje të strukturave, jemi pranë votuesve për problematika dhe shqetësime të caktuara. Pastaj se si paraqitemi në terren është një çështje organizative.

Roli juaj në fushatë?
Do jem duke dhënë kontribut për PD dhe duke mbledhur vota për të si në zgjedhjet e kaluara. Pozicioni do përcaktohet nga partia.

Do jeni ju kandidat për deputet?
Nuk është dëshirë individuale, i takon strukturave të PD ta vlerësojë. Unë produktin politik e kam të dukshëm dhe të matshëm. Vlerësimin që kam marrë nga anëtarësia, e kam në nivelet më të larta, jam i privilegjuar që përfaqësoj PD.

Do jeni në koalicion me LSI me një apo dy lista?
Jemi më shpejt se kurdoherë tjetër në koalicion. Partitë janë të gjitha kundër një sekti si Rilindja. Taktika elektorale thuhet në momentin e duhur për të maksimizuar votat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: