Apeli i Posaçëm konfirmoi dënimin maksimal, atë me burgim të përjetshëm për Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshi, të cilët akuzohen si autorë të masakrës në Lushnje në 2017 me dy të vrarë dhe dy të plagosur.

Dy të pandehurit u cilësuan fajtor për akuzat e “vrasjes me paramendim për hakmarrje”, “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Sipas prokurorisë, Bilbili dhe Kaloshi ishin pjesë e grupit kriminal të krijuar nga Laert Haxhiu, i cili kishte për qëllim ekzekutimin e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares, ky i fundit kreu i bandës famëkeqe të Lushnjes, me të cilin ishte në konflikte te forta.

Ekzekutorët zbarkuan në qytet për të vrarë Xhulio Shkuretin, por ai shpëtoi, pasi çaste para se të qëllohej drejt lokalit ku ishte ulur me miqtë, ai ishte futur në një dyqan.

Nga breshëritë e armëve humbi jetën Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku.

Kreu i grupit, Laert Haxhiu është duke u gjykuar në një proces të ndarë, për shkak se ndodhet në arrati dhe emri I tij është renditur në listën e 5 më të shumëkërkuarve nga policia.

Ndërkohë, Detar Hysi, avokati i Orges Biblilit, tha se gjykata ka tejkaluar çdo kompetencë. “Një vendim i bazuar me prova jo të marra në formën e kërkuar nga ligji! Gjykata ka tejkaluar kompetencat. Do të ndjekim rrugët ligjore”, tha avokati në reagimin e tij.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb