Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka hapur një  hetim me qëllim zbardhjen e rastit të sulmit të forcave serbe kundër Familjes Jashari në Prekaz më 5, 6, dhe 7 mars 1998.

Lajmi është publikuar nga kallxo.com, i konfirmuar nga prokurorja speciale, Drita Hajdari.

“Kam verifikuar nëse rasti është hapur nga EULEX-i apo UNMIK-u apo nga Tribunali i Hagës dhe pasi kam kuptuar se nuk ka rast të hapur kam vendosur për hapjen e hetimit me qëllim të zbardhjes së këtij rasti dhe të përgjegjësisë penale për krimet e luftës në rastin konkret”, ka thënë prokurorja Drita Hajdari.

Hetimi, sipas prokurores speciale është iniciuar në vitin 2019, pra 21 vjet pas ngjarjeve. “E kam hapur hetimin preliminar. Jemi duke grumbulluar prova”, ka thënë Drita Hajdari.

Në Kosovë ka filluar shënimi i 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, që përkon me fillimin e përballjes së familjes së komandantit Adem Jashari me forcat serbe. Beteja në Prekaz të Skenderajt ka zgjatur tre ditë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb