TIRANE – Prokuroria e Tiranës ka vendosur hapjen e një hetimi në lidhje me çështjet e ngritura nga Skënder Demiraj, babai i Arbër Demirajt, të riut të vrarë nga Kostandin Xhuvani më 4 nëntor në Tiranë.

Ish-prokurori Demiraj i dërgoi një letër prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ku shprehu vërejtje për punën dhe reagimin e policisë në vendngjarje dhe hetimin e ngjarjes nga prokuroria. Objekti kryesor i hetimit janë veprimet e policëve në vendin e ngjarjes.

Për shkak se letra mbërriti pas dërgimit të dosjes së katër vrasjeve në gjykatë, Prokuroria e Tiranës ka vendosur hapjen e një hetimi më vete. Ky hetim, sipas burimeve, do të verifikojë gjithë çështjet e ngritura në letër nga babai i Arbër Demirajt.

BABAI I DEMIRAJT LETËR TAHIRIT E LLALLËS
Ish-prokurori Skënder Demiraj, babai i 19-vjeçarit që mbeti i vrarë më 4 nëntor 2014 në lokalin “Ante Grand”, i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Letra bën fjalë për krimin e rëndë të kryer nga Kostandin Xhuvani, ku mbetën të vrarë katër persona, mes të cilëve edhe djali i ish-prokurorit Demiraj.
Me anë të kësaj shkrese, e cila ka formën e një memoje, Skënder Demiraj, ish-prokuror, tani avokat në profesion, ka shprehur rezervat e tij për veprimet e policisë në vendin e ngjarjes, por edhe për hetimin e paplotë të çështjes nga ana e Prokurorisë. Pasi kanë marrë letrën e shkruar nga Skënder Demiraj, titullarët e Policisë dhe Prokurorisë mësohet se u kanë kërkuar shpjegime vartësve të tyre në institucionet përkatëse, me qëllim kthimin e përgjigjeve për çështjet që ngre babai i njërit prej viktimave të vrasjes së katërfishtë.
Sipas Demirajt, Arbri është lënë në gjendje të plagosur brenda në makinën ML, duke pritur autoambulancën, ndërsa efektivat e Policisë nuk kanë vepruar për ta dërguar në spital me urgjencë. Më tej në letër shprehet ankesa se Policia nuk ka kryer hetimet e plota për ngjarjen në disa drejtime. Përveç neglizhencës për dhënien e ndihmës së parë ndaj Arbër Demirajt, në letër thuhet se Policia nuk ka zbardhur mekanizmin e ngjarjes duke lënë të pasqaruar mënyrën e vrasjes së 19-vjeçarit. Letra e shkruar nga Skënder Demiraj mësohet se ka mbërritur në Polici dhe Prokurori dy javët e fundit, ndërkohë që Prokuroria e Tiranës kishte mbyllur hetimet dhe kishte dërguar në gjyq Kostandin Xhuvanin për akuzën e vrasjes.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: