Historiani Uran Butka foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për 69-vjetorin e masakrës së komunizmit, ku u ekzekutuan 22 intelektualë, me pretekstin se kishin vendosur bombë te ambasada e Bashkimit Sovjetik.

Historiani Butka tha se kjo ishte një krim shtetëror kundër njerëzimit, i padënuar dhe i pandëshkuar ende. Sipas tij, për pushkatim u zgjodhën 22 intelektualë, që nuk kishin lidhje me dinamitin e vënë në ambasadë, por ishin emra që u zgjodhën nga vetë diktatori Enver Hoxha, Mehmet Shehu, e të tjerë njerëz të pushtetit.

Duke zbuluar disa nga emrat që propozoi Enver Hoxha për pushkatim, historiani deklaroi se mes tyre ishte edhe Sabia Kasimati, e vetmja grua mes 22 intelektualëve, pasi sipas tij, diktatori Hoxha i kishte tmerr njerëzit e zgjuar dhe intelektualët që i bënin hije.\

Pjesë nga intervista:
Si e kujtoni këtë përvjetor?
Kemi gati 69 vjet që e përkujtojmë masakrën. Është një krim shtetëror kundër njerëzimit i padënuar, i pandëshkuar. Të rinjtë duhet ta njohin, sepse masakra të tilla nuk duhet të ndodhin më në të ardhmen. Unë kam shkruar një libër “Bombë në legatën sovjetike”. Unë e përktheva dhe në anglisht dhe e dërgova në Këshillin e Evropës, çdo vit kemi bërë konferenca për këtë masakër.

Çfarë ishte, një akt kundër pushtetit apo akt anti-rus?
Ka hamendësi të ndryshme, por unë në libër vërtetoj me dokumente se pse ishte një akt kundër sovjetik dhe Stalizimit, që kërkonte të vendosej si një vijë politike në Shqipëri. Enver Hoxha kërkoi të vendosej politika staliniste dhe deri në rënien e diktaturës jo vetëm u zbatuan parimet e stalinizmit, por edhe u tejkaluan ato. Shqipëria ishte vendi që tejkaloi dhe krimet që u bënë në Rusi e vendet e tjera staliniste. Më 19 shkurt u mblodh pleiumi për të vendosur vijën staliniste. Ishte 8-9 pika, nga të cilat 5 ishin për marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Atë ditë u hodh një copëz dinamit në oborrin e legatës sovjetike, si një protestë e disa intelektualëve, që nuk e doni regjimin komunist në Shqipëri. Ata hodhën një dinamit, që theu vetëm disa xhama. Kjo i shqetësoi udhëheqësit e partisë dhe menjëherë më 20 shkurt u mblodh Byroja Politike, që e diskutoi këtë akt dhe e quajti të rëndë, sepse hidhte dinamit te miqësia e madhe me BS. Për këtë u vendos që të arrestoheshin 100-150 veta, propozim i ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu. Të zgjidhen mbi 20 njerëz dhe të pushkatohen pa gjyq. Ishte një pretekst për të bërë një masakër të gjerë, sepse u zgjodhën jo vetëm intelektualë, por njerëz nga gjithë trevat e Shqipërisë, për të ngjallur terror te shqiptarët.

Si u përzgjodhën këta njerëz?
U përzgjodhën në bazë të listave që gjendeshin në ministrinë e Brendshme. Hartuan tre lista dhe futën njerëz të ndryshëm, që s’kishin lidhje, edhe Enver Hoxha futi disa emra, që donte të pushkatoheshin, edhe Mehmet Shehu. Pra, njerëz të panjohur me njëri-tjetrin u arrestuan dhe u pushkatuan.

Si u ekzekutuan?
Pasi u vendos për t’i pushkatuar në Byronë Politike, pra ishte një vendim partiak. U arrestuan në mënyrë të paligjshme, natën, pa urdhër arresti, 22 intelektualë të shquar, mes tyre dhe Sabia Kasimati.

Çfarë përfaqësonin këta 22 intelektualë?
Sabia Kasimati, Tefik Shehu, Pjerin Guraziu, Jonuz Kaceli, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Miftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Niko Lezo, Zyhdi Herri, Petro Konomi, Pandeli Nova, Mehmet Shkupi, Gjon Temapi, Fadil Dizdari. Këta emra u pushkatuan, edhe pse nuk ishin shprehur kundër regjimit dhe asnjëri nuk kishte bërë ndonjë akt kundër pushtetit. Pra, ishin të gjithë njerëz të pafajshëm.

Si iu komunikua arrestimi?
Jeni arrestuar! Dhe i futën në birucat e shtetit. Ishin tre lista, që i quajta listat e vdekjes. Lista e parë ka titullin “personat e arrestuar që propozohen për t’u…”, lista e dytë ishte lista e personave që propozohen për t’u pushkatuar, lista e tretë po këtë karakter kishte. Këta persona u pushkatuan për një copë dinamit, me të cilën nuk kishin lidhje fare. Personat që hodhën shashkën u dënuan më vonë.

Enver Hoxha propozoi Reiz Sefjon, pasi e kishte zili për patriotizmin e tij dhe pasurinë që kishte. E kishte urryer që në rini. Futi Sabia Kasimatin, një vajzë që e kishte njohur në shkollë, ishin në të njëjtën klasë. Ajo ishte një vajzë intelektuale, dinte disa gjuhë, madje profesorët francezë habiteshin me elokuencën e saj. Në një klasë me të ishte dhe Enver Hoxha, ajo ishte një vajzë e bukur dhe tërhoqi edhe vëmendjen saj. Kemi të dhëna që Hoxha e pëlqente atë, por vajza i hodhi dorën në supë dhe i tha që jemi shokë.

Enver Hoxha i kishte halë në sy intelektualët që i bënin hije dhe i pushkatonte, ndaj e vuri në listë dhe Sabia Kasimatin. Intelektualët i vranë, i varrosën në mes të natës dhe në mëngjes banorët e fshatit u tmerruan kur panë që nuk ishin mbuluar mirë kufomat. Diku një këmishë e përgjakur, diku flokët mbi tokë. Këta njerëz u pushkatuan pa gjyq. Ishte një nxitim i madh për t’i vrarë njerëzit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb