ITALI – Autoritetet në Itali kanë kryer autopsinë e trupave të 9 italianëve që u vranë nga terroristët, pak ditë më parë në restorantin “Holey Artisan Bakery” në Daka, Bangladesh.

Sipas rezultateve të autopsisë, terroristët i torturuan italianët me orë të tëra dhe më pas i lanë të vdisnin ngadalë. Mjekët konstatuan në trupat e tyre gjymtime me hanxhar, plagë me thika, armë dhe eksploziv, por asnjëri prej tyre nuk kishte vdekur menjëherë.

Në këtë mënyrë të tmerrshme vdiqën 9 italianët: Adele Puglisi, Marco Tondat, Claudia Maria D’Antona, Nadia Benedetti, Vincenzo D’Allestro, Maria Rivoli, Cristian Rossi, Claudio Cappelli dhe Simona Monti.

Të premten e kaluar, shtatë terroristë të armatosur u futën në restorantin e njohur “Holey Artisan Bakery” në Daka dhe mbajtën peng të gjithë personat që nuk dinin vargje nga Kurani, duke i torturuar deri në vdekje. Më pas terroristët u vranë nga policia.

Masakra u mor përsipër nga Shteti Islamik, që tashmë po kërcënon edhe me sulme të tjera në Bangladesh.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb