Kryetari i Komitetit Hetues të Rusisë, Alexander Bastrykin, udhëzoi sot agjencinë e tij që të analizojë raportet për vrasjet e civilëve në periferi të Kievit, në qytetin e Bucha-s. Ai i ka bërë jehonë mohimit të Ministrisë së Mbrojtjes ruse për çdo përfshirje në incident.

“Sipas informacioneve tona, me qëllim diskreditimin e personelit ushtarak rus, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës shpërndau në mediat perëndimore video të filmuara në qytetin Bucha, rajoni i Kievit, si dëshmi e masakrës së civilëve,” thuhet në deklaratën e Komisionit Hetimor. Imazhet tronditëse të trupave të civilëve të gjetur në rrugët në Bucha, pas tërheqjes së forcave ruse, kanë shkaktuar një protestë ndërkombëtare. Ministri i Brendshëm i Ukrainës tha të hënën se ai priste që numri i trupave të civilëve të gjetur në rajonin e Kievit të shkonte në qindra, duke cituar informacione paraprake.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut i kanë përshkruar ato hetime si një fushatë të persekutimit politik të fshehtë. Kremlini vuri në dyshim raportet në lidhje me Bucha dhe hodhi poshtë të gjitha akuzat për përfshirje ushtarake ruse. “Nga ajo që kemi parë, në shumë mënyra nuk mund t’u besohet, sepse ka shenja të falsifikimeve të videove dhe falsifikimeve të ndryshme të zbuluara nga specialistët tanë nga Ministria e Mbrojtjes,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një deklarate për shtyp.

“Ne hedhim poshtë kategorikisht çdo akuzë” vazhdoi ai. Peskov propozoi një diskutim mbi incidentin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke thënë se një iniciativë e tillë është paraqitur nga Rusia, por që është bllokuar. I pyetur nëse këto akuza nga zyrtarët ukrainas do të ndikonin në rrjedhën e negociatave dypalëshe, Peskov nuk pranoi të komentonte, duke thënë se nuk kishte asnjë informacion mbi kohën e raundeve të ardhshme të bisedimeve Rusi-Ukrainë. Udhëheqësit perëndimorë kanë bërë thirrje për hetime të krimeve të luftës dhe sanksione të reja ndaj Rusisë për incidentin në Bucha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb