Masakra në “Don Bosko” që tronditi një natë më parë kryeqytetin, la pas një viktimë dhe 5 të plagosur, mes tyre dhe një 10-vjeçare, mbesa e viktimës.

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në News24, gazetarët e kronikës kanë sjellë detaje të reja mbi këtë ngjarje të rëndë, që pas saj fshihen grupet kriminale.

Gazetari Armand Bajrami tha se kjo ngjare e rëndë duket se është një ekspozim force nga rivalët e Fatjon Muratit, dhe si një shenjë hakmarrje për vrasjen e Brilant Martinajt.

“Kjo ngjarje ka përmasa të jashtëzakonshme, më shumë se çdo ngjarje kriminale tjetër, për shkak të pasojave, dhe vrasjes së 58-vjeçares që nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Nga hetimet e deritanishme në lokalin e Fatjon Muratit, një automjet BMW ka ndaluar në rrugë para lokalit, dhe dy persona kanë shtënë me kallashnikov drejt tavolinës ku ishin ulur familjarë të Muratit.

Dinamika është zbuluar pak nga një pamje filmike, por që është e largët. Nga këto pamje shihen dy persona që zbresin nga makina dhe qëllojnë me kallash, ndërsa një person i tretë i pret në makinë.

Deri në këto momente, dyshimet e para janë që ngjarja të ketë qenë në kufijtë e një ekspozimi force, përballjes mes grupeve rivale, një lloj hakmarrje për vrasjen e  Brilant Martinajt.

Një lloj mesazhi për të treguar se jemi gjallë dhe jemi këtu.

Por përjashton që të jetë bërë nga vrasës me pagesë apo njerëz të stërvitur me armë zjarri, është në kufijtë e amatores”, u shpreh ai.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb