Vëllai i Dan Hutrës ka folur për tragjedinë e rëndë të shkaktuar  në Tiranë, ku u vranë ne armë 3 vajzat e familjes Hysa.

Ai thotë se nuk i njihte pasi nuk kishte pasur kurrë komunikim me ta, sepse nuk fliste me të vëllanë.

Mes lotësh ai i ka kërkuar ndjesë dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa i bën apel drejtësisë që t’i japë atij dënimin më maksimal.

Po ashtu ai shton se “me këta gjykatës të korruptuar kam frikë se do dalë prapë nga burgu”.

Pjesë nga intervista dhënë për News24:

Gazetari Igli Çelmeta: Çfarë di në lidhje me konfliktin që kishte familja Hysa dhe vajza e tyre Elena Hysa lidhur me vëllain tuaj Dan Hutra, keni dijeni?

Vëllai i Dan Hutrës: Nuk kam asnjë lidhje, asnjë informacion. Më vjen shumë keq, shpirtërisht me dhimbjen më të madhe, nuk kam fjalë që ta shpreh, jam me to, me dhimbjen e tyre, e di çfarë dhimbje kanë se të thashë kam fëmijë vetë.

Gazetari Igli Çelmeta: Pra ju keni shkëputur çdo lloj marrëdhënie me vëllain tuaj, Dan Hutra dhe siç e thatë edhe më parë nuk e quani më vëllain tuaj?

Vëllai i Dan Hutrës: Kush më njeh mua e dinë të gjithë se unë që në 2007 nuk e quaj vëllanë tim, që në momentin e fundit që i kam thënë ose ndrysho rrugë ose për mua harromë. Dan Hutra kur ka bërë vrasjen e parë të vajzës së pafajshme, unë kam qarë tërë ditën dhe kanë ardhur njerëzit më ka thënë “çfarë ke?”, më ka vdekur i kam thënë vëllai, por jo më thoshin e ka kapur policia është në burg, për mua ka vdekur sot.

Gazetari Igli Çelmeta: Ti si vëllai i Dan Hutrës, çfarë apeli i bën drejtësisë shqiptare, për një person që në 20 vite i ka marrë jetën 4 grave dhe ka plagosur 3 të tjera?

Vëllai i Dan Hutrës: Drejtësisë i bëj thirrje në rast se kanë kalamaj dhe e dinë çfarë do të thotë të humbësh një fëmijë, të gjykojnë me ligjin dhe jo me xhepin. Të gjykojnë siç e meriton krimineli, po na çojnë 40 vite mbrapa të kërkojmë Enver Hoxhën, ngrehu Enver dhe vari siç i varte edhe nuk kishte as gjakmarrje, as hakmarrje dhe nuk u shtonin vrasjet.

Gazetari Igli Çelmeta: Çfarë dënimi mendoni se duhet të marrë vëllai juaj?

Vëllai i Dan Hutrës: Nuk mund ta përshkruaj, atë po ta djegësh, po ta shohësh në zjarr dhe t’i hedhësh edhe një çik benzinë më shumë që të digjet më shpejt. Ku ka dënim, më vjen keq, ishalla nuk ndodh dhe e lirojnë prapë, por me këto gjykatësa që kemi, ai një ditë do jetë jashtë, unë kam shumë frikë që një ditë do dalë prapë jashtë ai kriminel. Me këto gjykatësa që marrin lekë, unë kam shumë frikë që ai një ditë do të arrijë të dalë jashtë. Kur ai sot duhet të ishte i varrosur bashkë me ato që i ka vrarë pa faj. I bëj apel drejtësisë të mos merren me punë të kota, në radhë të parë të vendosin drejtësinë, krimineli ndëshkohet, jo vetëm dënohet, ndëshkohet, ndëshkim maksimal. Jetën ta ka dhënë vetëm Zoti dhe ta merr vetëm Zoti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb