NGA: ENRIK MEHMETI
VLORE- Delin Hajdaraj, i cili u arrestua përgjatë natës nga Policia pas një aksioni blic, ka pranuar vrasjen e tre-fishtë në Vlorë në vitin 2013. “BalkanWeb” ka arritur të zbardh deklaratën e plotë të 26-vjeçarit të dënuar me burg përjetë, i cili ishte prej kohësh në kërkim nga policia. Para oficerëve të policisë, i riu pohoi se nuk kishte dashur të vriste 3 të pafajshmit, por vetëm të trembte djemtë që i kishin ngacmuar motrat e Leo Osmenit (shokut ose kushëririt të tij të largët). “Armën nuk e mora posaçërisht me qëllim për të vrarë ata 3 persona të cilët humbën jetën aksidentalisht, por vetëm me qëllim për të trembur ata djemtë që kishin ngacmuar motrat e Leo Osmenit”, mësohet të jetë shprehur Hajdaraj.

Nga ana tjetër ai justifikoi dhe veprimin e tij, pasi në kohën kur ndodhi krimi ishte 22 vjeç, nuk mundi që të kontrollonte veten. Ndër të tjera Hadaraj tha se nuk e kishte idenë sesi plumbat kishin qëlluar 3 jetë njerëzish. “Nuk e mbaj mend fare skenën. Di që kam qëlluar në ajër”. Sakaq, 26-vjeçari ka marrë përsipër 3 vrasjet, duke shtuar se Leo Osmeni nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen dhe se po vuante kot dënimin në burg.

“Leo nuk ka faj dhe s’ka pse qëndron në burg. Unë e kisha armën dhe unë qëllova me breshëri. E mësova nga televizori që kishin humbur jetën 3 persona. Për këtë që kam bërë atë dite, jam shumë i penduar! E kam përjetuar shumë rëndë, shumë keq humbjen e tyre. I kërkoj falje familjareve përkatës dhe ua them me bindje të plotë se jam penduar shumë.”, shtoi Hajdaraj.

PSE NUK U DORËZUA
Po ashtu, ‘BalkanWeb’ mëson se grupi hetimor e ka pyetur të riun se pse nuk u dorëzua pas momentin të krimit. Burime nga grupi hetimor raportojnë për agjencinë tonë se pretendimi i 26-vjeçarit kishte qenë se e kishte kapur paniku dhe se ishte ndjerë i frikësuar që të dorëzohej.

“Më zuri paniku. Më mirë preferova të rrija mbyllur sesa të shkoja në burg. Madje edhe kur rrija mbyllur në shtëpi, kam qenë pothuajse njësoj si në burg. Nuk doja të dorëzohesha sepse me këto gjyqtarë të korruptuar që kemi ne, kisha frike se do më merrnin më qafë akoma me shumë, ndaj nuk e bëra.”, rrëfen Hajdaraj.

SI I GJENTE TË ARDHURAT GJATË KOHËS NË ARRATI
Delin Hajdaraj u shpreh se kishte para mjaftueshëm, pasi i dërgonin familjarët nga jashtë (kishte 1 vëlla në Bruksel). Përveç kësaj ai ka pohuar se para i dërgonte dhe e dashura spanjolle. Mes të tjerat ai deklaroi se babain e kishte në burg dhe se shumë shpejt i dilte nga izolimi pasi i mbaronte dënimi. Teksa është pyetur se si i merrte të paratë, në bankë apo ia dërgonin dorazi, ai shton se ‘ kam shok e miq, gjeja rrugë të ndryshme’. “Për 4 vite me radhë kam ndenjur brenda, nëpër banesa të ndryshme që merrja me qira”, shton më tej ai, ndërsa nuk bën të ditur emrat e pronarëve të banesave ku jetonte.

Ai shton se: “Kishte menduar që më përpara të mblidhja disa para nga këto që më dërgonin, e më pas të bëja një plan për tu larguar jashtë Shqipërisë. Armën e zjarrit kisha pak kohë që e kisha marrë. E gjeta nga shokët, njerëz të afërm”, ndërsa shtoi se: “Për 4 vite rresht jam bërë keq vetëm dy herë për spital. Por e kam kaluar në kushte shtëpie sëmundjen, me ilaçe. Në spital nuk kam shkuar asnjëherë pasi kam pasur frikën e policisë. Në një gjendje të rënduar psikologjike, i riu tha se nuk mund të zhbëjë atë që bëri. “Nuk ndihem mirë. Se kisha menduar kurrë që do kapesha nga policia. por kur erdhën në banesë forcat e policisë, nuk doja të bëja rezistencë. Nuk ka shije të mirë kjo që jam përballë jush, por nuk e kthej dot mbrapsht”, përfundon ai.

ARRESTIMI
Policia e Vlorës në bashkëpunim me Forcat Speciale Renea Tiranë në një super-operacion, bënë të mundur arrestimin e Delin Hajdarajt rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e trefishtë, të ndodhur më datë 28 korrik të vitit 2013.

NGJARJA
Sipas dëshmisë së Leo Osmënit, Delin Hajdaraj ka hapur zjarr në drejtim të pushuesve. Osmëni ka dëshmuar në polici se sherri me pesë djemtë nga Fieri ka nisur pasi këta të fundit i kanë ngacmuar motrën, teksa ajo pushonte në plazhin privat “Kalaja”, në Vlorë. Ai është telefonuar nga e motra, e cila i ka kërkuar ndihmë se disa djem e kishin bezdisur duke i kërkuar emrin për ta kontaktuar në rrjetin social “Facebook”.

18-vjeçari ka dëshmuar se është nisur menjëherë drejt plazhit, bashkë me mikun e tij, Hajdarajn. Sapo ka mbërritur, Osmëni është konfrontuar fizikisht me të rinjtë fierak dhe në një moment i ka kërkuar mikut të tij të nxirrte armën që mbanin në bagazhin e makinës. Ekzekutori Delin Hajdaraj ka shtënë tri herë me breshëri, por ai ka humbur kontrollin e armës, duke vrarë tre plazhistët, që nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Në këtë ngjarje të rëndë mbetën të vrarë 17-vjeçari Serdi Bajlozi, 34-vjeçari Sokol Isufaj dhe 53-vjeçarja Diana Ademi, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen, por humbën jetën pas plumbave rikoshet.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb