NGA LEDIONA XHELADINAJ*

Rajoni juglindor vijon të mbetet një nga rajonet më të prekura përsa i përket prerjeve pa kriter i sipërfaqeve pyjore, ndërsa dëmi i shkaktuar ndër vite është i parikthyeshëm. News24 ka udhëtuar disa orë drejt pyjeve të fshatit Vidohovë në rrethin e Devollit, atje ku prerjet e pyjeve janë të pakursyera.

Gjatë rrugës drejt zonës së dëmtuar banorë të zonës, dikush jashtë kamerës e dikush në prani të saj tregon për masakrën e shkaktuar në këto pyje nga vetë dora e njeriut. E kjo në të shumtën e rasteve është bërë edhe për të zhdukur gjurmët e batërdisë që bëhet çdo ditë me kontrabandën e lëndës drusore. Rasti më i fundit në këtë zonë u raportua tre ditë më parë.

E ndërsa mbërrijmë në qendër të fshatit Vidohovë, banorët na mirëpresin e kur mësojnë për ardhjen tonë shprehen të indinjuar për batërdinë që i është bërë pyllit. 78-vjeçari Basri Çuka thotë se pyjet e Vidohovës jo vetëm janë prerë pa kriter, por dhe janë djegur.

Panorama që ofrojnë pyjet e fshatit Vidohovë nuk ndryshon aspak edhe me qindra hektarë pyje të tjera  në qarkun e Korçës,  pasi çdo sipërfaqe e gjelbër është masakruar nga prerjet pa kriter të pishave, ahut dhe më pas djegia e tyre është gjetur si metodë për të humbur gjurmët nga autorët e kësaj masakre të natyrës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: