VLORE- I mituri Andrea Zaharia kishte ardhur pak ditë më parë nga Greqia bashkë me prindërit e tij. Ai kishte lindur dhe ishte rritur në shtetin fqinj, por herë pas here vinte për të kaluar pushimet me gjyshërit e tij.

Me autorin e vrasjes, 30-¬vjeçarin Jorgo Zani, ishin kushërinj. Nëna e tij e kishte djalë xhaxhai dhe me Jorgon ai kishte krijuar afrimitet qëkur ky i fundit jetonte me familjen e tij po në Greqi, shkruan “Panorama”.

Për këtë shkak, edhe kur vinte në Palasë, fëmija i qëndronte afër 30¬-vjeçarit. Ndonëse ky i fundit kishte shfaqur probleme psikologjike dhe ishte trajtuar edhe si përdorues droge në Greqi, askush nga familjarët nuk e kishte menduar rrezikshmërinë e tij deri në këtë shkallë. Madje as nëna e fëmijës, e cila ditën e hënë është larguar për në Greqi, duke e lënë fëmijën te banesa e nënës së saj. Dje gjyshërit e fëmijës e kanë përjetuar mjaft rëndë ngjarjen. Shokuese për ta ka qenë jo vetëm humbja e nipit të tyre, të cilin vajza e kishte lënë me besim të plotë tek ata, por edhe mënyra makabre e vrasjes.

Nipi i tyre ishte masakruar në mënyrën më çnjerëzore dhe sipas fqinjëve, gjyshja e tij ka pësuar disa herë gjendje të fikëti dhe ka qenë e pamundur madje as kontakti i Policisë me të, për t’i marrë një dëshmi paraprake në lidhje me lëvizjet e fëmijës ditën e ngjarjes. Prindërit e fëmijës mësohet se janë nisur menjëherë drejt fshatit, pasi kanë mësuar lajmin e kobshëm.

Trupi i fëmijës është dërguar dje për të kryer veprimet e duhura në morg, nga ku, pasi janë kryer ekzaminimet mjekoligjore, është përcjellë sërish drejt fshatit. Edhe të afërm të tjerë të të miturit dje e kishin të pamundur për të folur rreth kësaj ngjarjeje të rëndë.

“Askush nuk e mendoi se do të përfundonte kështu. Jorgo ishte i sëmurë, e dinim të gjithë, por askush nuk e vlerësoi shkallën e rrezikshmërisë së tij. E neglizhuam dhe ja si përfundoi”, shprehen të afërm të fëmijës.

Policia është duke mbledhur të dhëna dhe dosjen do t’ia përcjellë Prokurorisë, por ndërkohë nuk ka të dhëna nëse autori do të mbahet në paraburgim apo në spitalin psikiatrik. Burime të Policisë bënë të ditur mbrëmë se kanë kontaktuar me mjekët psikiatër, të cilëve iu është kërkuar të vendosin rreth medikamenteve që duhej t’i jepnin të arrestuarit, i cili, sipas diagnozës së dhënë, ka çrregullime të theksuara me personalitetin.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb