Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar njofton se nga nesër maturantët mund të kthehen në shkolla në 10 bashkitë ku është zhvilluar deri më tani online.

Sipas DPAP, janë marrë të gjitha masat për zhvillimin e procesit mësimor në kushte pandemie për maturantët.

Sot Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të ndryshojë vetëm këtë masë, duke rikthyer maturantët në bankat e shkollës me rastin e provimeve, ndërsa masat e tjera mbeten në fuqi.

NJOFTIM I DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR

Pas sugjerimit të sotëm të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) informon se mësimi në banka për maturantët e shkollave të mesme në 10 bashkitë (ku deri tani mësimi është zhvilluar “online”), fillon që ditën e nesërme, e enjte, datë 1 Prill, 2021.

Nga ana e shkollave dhe strukturave tona janë marrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor duke pasur parasysh zbatimin rigoroz të masave anti-COVID.

Suksese të gjithëve!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb