Ngjarjet e fundit të dhunës në ndeshje të ndryshme të futbollit shqiptar, ku më alarmantet ishin ato në Pogradec dhe në Peshkopi, kanë bërë që Policia e Shtetit të zbarkojë në stadiume ku ndeshjet pritet që të prodhojnë tension.

Burime pranë policisë së Vlorës, edhe pse jo zyrtarisht, bëjnë me dije për “Panorama Sport” se do të ketë një prani të shtuar të uniformave blu në Ballsh ditën e ndeshjes mes Bylisit dhe Flamurtarit.
Burimet konfirmojnë se mund të ketë rreth 1000 forca policie në stadiumin e Ballshit, por edhe forca nga FNSH e Tiranës.

E gjithë kjo për të eliminuar ndonjë incident të mundshëm dhe për të siguruar rendin dhe qetësinë publike. Edhe me sugjerimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Policia e Shtetit do të marrë të gjitha masat organizative në mënyrë që stadiumet shqiptare të mos shndërrohen në arenë dhune.

Forca policore nga shumë rrethe pritet që të komandohen për të qenë të pranishëm në impiantin e futbollit në Ballsh, ndeshje e cila është vendimtare për fatin e dy skuadrave në lidhje me qëndrimin apo rënien nga kategoria.
(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb