Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në sallën e Kuvendit sot deklaroi se ndryshimet që pritet të miratohen në Aktin Normativ për të mbyllur klubet dhe lokalet e natës vjen në vazhdën e masave të ndërmarra për të frenuar përhapjen e virusit.

Sipas saj, është vërejtur që kryesisht të rinjtë që i frekuentonin ato janë bërë vektor i përhapjes së virusit. Prandaj, ministrja kërkoi më shumë përgjegjshmëri nga të gjithë qytetarët.

“Ndryshimet dhe shtesat në aktin normativ sa i përket periudhës së pandemisë vijnë pasi duam të vendosim detyrimin për diskot, klubet e natës që kanë pasur detyrim që në krye të herës që të mos hapen. Është vënë re që jo të gjithë e kanë zbatuar urdhrin, duke u kthyer në vatra infeksioni. Detyrimi tani çon deri në pezullim aktiviteti 1 vjecar kur këto subjekte nuk i binden asnjë ligji. Masat që po marrim, akti normativ, qoftë akti normativ që miratuam të enjten e shkuar për maska të detyrueshme në ambiente të mbyllura vendosen jo për të vënë gjoba, por për të parandaluar përhapjen e Covid 19.

Të rinjtë apo frekuentuesit e këtye vendeve janë etiketuar si vektori i shpërndarjes së infeksionit te moshat e tjera. Vendosja e këtij akti vjen në kohën e duhur për të forcuar zbatimin e masave Covid 19.

Po punojmë me intensitet, po përgatitemi për vjeshtën por nëse do kemi neglizhim të masave duhet të përgatitemi për rritje të infeksionit DCovid 19”,- tha Manastirliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb