Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern demarkoi se vendi i saj nuk do t’i hapë kufijtë me pjesën tjetër të botës “për kohë të gjatë”, për të frenuar përhapjen e COVID-19. Ardern i bëri komentet pasi mori pjesë në mbledhjen e kabinetit të Australisë, përmes një video-lidhjeje. Dy palët diskutuan për mundësinë që njerëzit të lëvizin midis Zelandës së Re dhe Australisë pa pasur nevojë për t’iu nënshtruar karantinës.

Por, shtoi Ardern, vizitorët nga vende të tjera nuk do to lejohen së shpejti. “Ne nuk do të kemi kufij të hapur për pjesën tjetër të botës për një kohë të gjatë”, tha Ardern. Turizmi është një nga industritë më të mëdha të Zelandës së Re, që punëson gati 10% të fuqisë punëtore të vendit dhe kontribuon pothuajse në 6% të bruto prodhimit të brendshëm.

Shumica e vizitorëve janë nga Australia, pastaj nga Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. Zelanda e Re ka më pak se 1,500 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 20 viktima. Javën e kaluar, ajo ka lehtësuar disa masa të izolimit. Australia – e cila ka një popullsi prej rreth 25 milionë banorësh apo pesë herë më shumë se Zelanda e Re – ka gati 7,000 raste dhe 96 viktima.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: