Nga: Vjollca Kongjoni*

TIRANË- Organizatat ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore e kanë konsideruar si problem shqetësues për ekonominë shqiptare nivelin e lartë të kredive të këqija. Në marrjen e masave në këtë kuadër qeverisë iu sugjerua ngritja e një grupi pune ndërinstitucional për adresimin dhe reduktimin e nivelit të kredive me probleme.

Një nga këto masa është edhe ndryshimi i kuadrit ligjor që rishikon ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme për të thjeshtuar proçedurat e ekzekutimit të kolateralit. Gjatë shqyrtimit në komisionin parlamentar të ekonomisë të projektligjit, zëvendës ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj bëri të ditur se ajo çka pritet të ndryshojë lidhet me detyrimin ligjor të regjistrimit nga ana e ndërtuesve, jo vetëm të lejes së ndërtimit por edhe të kontratave të porositësve të apartamenteve. Kjo për të shmangur fenomenin e e shitjes së të njëjtit apartament në më shumë se njëherë.

Këto ndryshime ligjore janë vlerësuar edhe nga deputetët e opozitës, por sipas deputetit të PD Ridvan Bode, adresimi i këtij problemi është vetëm njëra anë e medaljes për të reduktuar nivelin e kredive të këqija.

“Ekzekutimi i kolateralit është problem më i vogël në rritjen e kredive të këqija. Çështja e rritjes së kredive të këqija është e lidhur ngushtë me gjendjen e ekonomisë dhe situatën financiare të bizneseve. Edhe pse vitin e kaluar u bë një ndërhyrje për pagimin e detyrimeve të prapambetura ato nuk dhanë asnjë efekt por përkundrazi e rritën edhe më shumë nivelin e kredive të këqija. Ky është një adresim vetëm me sektorin e ndërtimit por çështja kërkon trajtim më të gjerë që lidhet me vetë bankat, bizneset dhe nivelin e kreditimit të tyre dhe me ndërhyrjet e shpeshta fiskale që nxjerrin bizneset jashtë organikave ekonomike dhe financiare për bizneset e tyre”,- tha Bode.

Por sipas deputetit socialist Ervin Bushati, adresimi i problemit të kredive të këqija dhe ndryshimet ligjore që po bëhen jo vetëm do të normalizojnë tregun e pasurive të paluajtshme por do të përmirësojnë edhe klimën e biznesit në vend.

“Qeveria e ka të domosdoshme ndryshimin e legjislacionit dhe do të vazhdojë rrugën e ndryshimit të situatës ekonomike në bashkëpunim me FMN për të adresuar problemin e NPL-ve. Raporti thotë që në fund të 2015-ës kreditë me probleme janë ulur në 20%. Ne kemi pasur një situatë anormale në treg, ku qytetarët blinin prona dhe nuk kishin informacion dhe mbrojtje nga ligji, një ndërtues e kishte shiste disa herë një apartament, ky ka qenë një problem i paadresuar. Gjithashtu duhet të kemi parasysh të gjejmë balancën e duhur në treg për të mos ndërhyrë shumë duke e lënë atë të lirë. Të gjitha këto po bëhen sot nga qeveria, në bashkëpunim me FMN. Me Bankën Botërore po punohet për ligjin e falimentit dhe shumë problematika të tjera fillojnë e adresohen, këto ndryshime do të bëjë që të përmirësohet klima e biznesit dhe do të garantojnë më shumë qytetarët për blerjen në treg”,- shtoi Bushati.

Shqetësimi i vërtetë për ministrinë e drejtësisë mbi tregun e pasurive të paluajtshme lidhet kryesisht me korrupsionin, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

“Shqetësimi jonë ka qenë ky që të krijonim siguri dhe qartësi për të shpëtuar nga disa gjëra që ne i kemi pasur shqetësuese, sic janë pastrimi i parave , kreditë e dhëna të këqija abuzive që janë në sistemin bankar dhe ndodhin për arsye të korrupsionit, është financimi i terrorizmit që e kemi gjetur në disa raste flagrante, kur është zbuluar që ndërtime të tilla janë përdorur për të financuar blerje- shitje të shpejta dhe financime terroriste”,- deklaroi Arben Isaraj.

Pas miratimit nga Komisioni i Ekonomisë, projektligji pritet të shqyrtohet edhe nga komisionet e tjera, për të kaluar për votim në seacën plenare të datës 11 Shkurt.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb