Më 8 tetor në “Elbasan Arena” do të luhet një ndeshje ku çdo shqiptar do të donte të kishte pak centimetra hapësirë në stadium, qoftë edhe pa pasur një vend të plotë për t’u ulur. Kudo dhe kurdo gjatë kësaj periudhe flitet për këtë ndeshje, por temë e ditës është pamundësia e sportdashësve për të qenë në stadium.

Pakënaqësi të theksuara nga tifozët e Kombëtares, që e kanë të pamundur të sigurojnë një biletë për takimin kundër Serbisë.

Zyrtarët

Në FSHF, zyrtarisht është thënë se janë shitur të gjitha biletat. Kjo, e konfirmuar edhe dje nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF­-së, Ilir Shulku: “Është shitur ëdo biletë. Interesimi ka qenë shumë i madh nga tifozët dhe nga institucionet shtetërore”. Realiteti Duke qenë se Federata Shqiptare e Futbollit ka shitur çdo biletë, atëherë kjo do të thotë se ka pasur një orar të caktuar në një nga ditët, në të cilën janë shitur këto bileta. Megjithatë, kur përmendet kjo çështje, askush në federatë nuk di të thotë se në cilin sportel janë shitur 12700 biletat për ndeshjen Shqipëri-­Serbi, shkruan Panorama Sport.

Askush nuk është në gjendje që të konfirmojë sportelin, orën dhe vendin, në të cilin janë shitur biletat për ata sportdashës që janë treguar të shkathët dhe të zotët për të siguruar një të tillë. Mungesa e përgjigjeve në institucionin e futbollit në vend ka vetëm një shpjegim: Në mënyrë krejt të papranueshme, FSHF nuk ka shitur asnjë biletë për sportdashësit. As në faqen online nuk ka pasur asnjë të tillë në dispozicion të tifozëve.

Edhe në momentin ku u publikua faqja online, ndodhi bllokimi i sistemit (justifikimi ishte se ka interesim shumë të madh, por në të vërtetë nuk kishte asnjë biletë në dispozicion), gjë për të cilën “Panorama Sport” e ka ngritur si shqetësim dhe në institucionin e futbollit nuk ka pasur asnjë reagim apo shpjegim për këtë çështje. Preferencat Është bërë e modës, në dy ndeshjet e fundit, që FSHF të mos shesë asnjë biletë për sportdashësit. E gjithë kjo ndodh sepse në FSHF pritet urdhër nga kreu i institucionit për të dhënë biletat (që kanë mbetur) për njerëzit që marrin konfirmimin e tij. Për momentin, bileta siguron ai që ka pëlqimin e kreut të institucionit të futbollit në vend. Një tifoz nuk mund të sigurojë një biletë, ama një mik apo i preferuar i Dukës, po…

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: