Një biznesmen dhe tre punonjëse të një banke të nivelit të dytë, akuzohen nga prokuroria se përmes mashtrimit i zhvatën shtetasit Ardian D., shumën prej 740 milionë lekësh të vjetra.

Nën akuzë për mashtrim janë vënë biznesmeni Lefter Sulkaj dhe punonjëset e bankës, Anila Bushi, Vilma Gode dhe Valbona Derhemi të cilat dyshohen se duke shfrytëzuar besimin e klientit D. e kanë bindur këtë të fundit të hedhë në llogarinë e shoqërisë Sulkaj, shumën e majme.

D. i kishte depozituar paratë në një llogari në bankë dhe duke i besuar punonjësve të saj, ka pranuar ti kalojë lekët në llogarinë e kompanisë Sulkaj.

Prokuroria i akuzon tri punonjëset e bankës, se kanë vepruar për llogari të biznesmenit Sulkaj dhe e kanë bindur D. se ai ka mundësi për t’ia kthyer paratë, pasi kryen transaksione të mëdha bankare.

Në dosje thuhet se D. ka mundur të marrë mbrapsht vetëm shumën prej rreth 15 milionë lekësh.
Organi i akuzës padit edhe bankën për mashtrim, pasi ka dyshime se ka shkelur manualin, duke mos mbrojtur interesat e klientëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb