VLORE – Gjykata e Vlorës ka vendosur sot masat e sigurisë për të arrestuarit për ‘eksodin” nga Vlora drejt Gjermanisë. Në seancën e sotme, gjykata ka vendosur ‘arrest me burg’ për Kastriot Hoxhajn dhe Shezai Aliajn, drejtuesin e agjencisë së transferimit të parave. Ndaj pronarit të agjencisë “Agimi Travel”, Agim Muçaj është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri. Ndërkohë për dy punonjëset e agjencisë së udhëtimit, Denisa Mitro dhe Matilda Mazreku, gjykata ka vendosur masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’.

Pas dyndjes së qindra shqiptarëve në Portin e Vlorës, me qëllim për tu nisur drejt Gjermanisë, gazeta “Panorama” zbuloi deklaratën që çoi në eksodin e shqiptarëve me qëllim përfitimin e azilit ekonomik në Gjermani.
“Edi Rama ka takuar Kancelaren gjermane Anxhela Merkel dhe ajo i ka deklaruar se Gjermania i ka dyert e hapura për të pritur shqiptarët. Deri më 24 dhjetor mund të përfitohet azil e pas kësaj date nuk do lejohen më”.
Me këto fjalë janë mashtruar qindra banorë, kryesisht të qarkut të Vlorës e Fierit. Shprehja-virus është shfrytëzuar fare mirë nga agjencitë e udhëtimit dhe përfaqësues të disa pikave të transfertave të parave, që e kanë qarkulluar më pas nëpër zona të ndryshme. Një pjesë e kanë besuar që në fillim, pasi të afërm të tyre ishin nisur javë më parë drejt Gjermanisë, duke u strehuar në kampe të ndryshme të këtij shteti, kryesisht në Dortmund e Mynih. Të tjerë janë bindur nga fakti që ishte përcaktuar një afat dhe kanë nxituar të shesin bagëti e prona për të pasur para për bileta.

Pas zbulimit të skemës së mashtrimit, policia vuri në pranga pronarin e agjencisë së udhëtimit “Agimi Travel”, Agim Muçaj, dy punonjëset e agjencisë Denisa Mitro dhe Matilda Mazreku dhe shtetasit Kastriot Hoxhaj dhe Shezai Aliaj, drejtuesi i agjencisë së transferimit të parave.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: