Spanja ka lëshuar një urdhër arresti për një ish-zyrtar të lartë qeveritar në Shqipëri, pas përfshirjes së tij në mashtrime ndaj qytetarëve europian me anë të Call Centerave.

Amant Josifi, ish-këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, persona i cili ka lidhje të ngushta biznesi me vëllain e kryeministrit Edi Rama, akuzohet për mashtrim dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale, sipas një burimi pranë autoriteteve hetimore në Spanjë.

Josifi, i cili ka mohuar në të kaluarën se biznesi i tij kishte lidhje me mashtrimin, u largua nga puna e tij në qeveri menjëherë pas publikimit të historisë nga “Projekti për Raportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” (OCCRP).

Nëna e tij, Pranvera Strakosha, ka një post të spikatur në Shqipëri si kryesuese e një organi që mbikëqyr shërbimin civil shqiptar.

Në një seri të koordinuar bastisjesh në të gjithë Evropën më 8 dhe 9 nëntor, policia nga shumë vende – duke përfshirë Gjermaninë dhe Spanjën, vende ku jetonin shumë prej viktimave të mashtruara- arrestuan të paktën katër persona dhe mbyllën 15 Call Center në Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë.

Dy nga partnerët e biznesit të Josifit në Shqipëri, Bernardo Saraçaj dhe Erindi Pysqyli, u arrestuan dhe pritet të ekstradohen në Spanjë.

Më 10 nëntor, policia shqiptare dhe prokurorët e krimit të organizuar mbajtën një konferencë për shtyp duke shpallur suksesin e operacionit, por nuk përmendën emrin e Josifit.

Autoritetet gjithashtu refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të shumta nga OCCRP në lidhje me ngjarjen dhe fshehjen e informacionit për Josifin, duke thënë se ishte e pamundur të jepeshin detaje për njerëzit e shpallur në kërkim në lidhje me Call Center-at, sepse ky konsiderohej sekret hetimor.

Përgjigja erdhi vetëm pas tre kërkesave në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nga një gazetar dhe dy kërkesave në polici.

Prokurorët lëshuan një deklaratë ku konfirmonin se Spanja kishte lëshuar një urdhër për Josifin.

Ata theksuan se urdhri nuk ishte lëshuar nga Shqipëria, por shtuan se përderisa një shtetas shqiptar kërkohet ndërkombëtarisht nga autoritetet e huaja, ai person kërkohet patjetër edhe në Shqipëri.

Sali Berisha, lideri kryesor i opozitës në Shqipëri, bëri thirrje për një hetim nëse Call Centerat e Josifit ishin vënë në mbrojtje nga kryeministri Edi Rama dhe vëllai i tij, Olsi, i cili më parë ishte bashkëpronar i një firme telemarketingu me Josifin.

“Rrjeti i mashtrimit të Call Centerave është një grabitje monstruoze e qytetarëve europianë në Gjermani e në Spanjë”, tha Berisha gjatë një konference për shtyp më 18 nëntor.

Pak ditë më vonë, kryeministri Rama mohoi çdo lidhje me Josifin, edhe pse nuk e përmendi me emër, dhe këmbënguli se qeveria nuk po e mbronte atë nga ndjekja penale.

“Sa i përket personit për të cilin po flasim, nëse shteti do ta kishte mbrojtur, ai nuk do të ishte tashmë i shpallur në kërkim. Sa i përket emrit të vëllait tim, i cili është përmendur në lidhje me këtë rast, ky është pjesë e vallëzimit të madh të shpatave në gropëzën tonë politike”, u tha ai gazetarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb