I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, dekani i Bioteknologjisë Ushqimore, UBT Kapllan Sulaj ka folur për mashtrimin e konsumatorit me produktet e importit që ripaketohen dhe hidhen në treg nga kompanitë shqiptare, pa përmendur elementët e gjurmueshmërisë. Sulaj tha se një veprim i tillë cenon elementët e freskisë dhe sigurisë së produktit, i cili është manipuluar.

“Për një produkt që vjen nga importi, duhet informacion që nga origjina dhe deri në paketim e kur vendoset në treg. Një pjesë e produkteve të pulave shiten me një emër tregtar dhe pa përmendur elementët e gjurmueshmërisë. Importi shoqërohet me informacion, certifikatë veterinare, kushtet e ruajtjes, të dhënat, sasinë, paketimin. Por çfarë ndodh në kushtet tona? Një pjesë e produkteve të importit shpërndahet në pikat tregtare, ku një pjesë e ripaketojnë duke i vendosur një paketim të ri e duke e hedhur në treg. Ka etiketë të tjetërsuar që nuk përmban informacionin e produktit të origjinës. Ndërsa një pjesë tjetër tregtohen të hapura pa etiketë, në qese plastike. Në këtë formë shkelet ligji i ushqimit, pasi gjurmueshmëria nuk ekziston dhe nuk dihet nga ka ardhur produkti dhe çfarë risku mban. Cenohen edhe elementët e freskisë dhe sigurisë së produktit, pasi nuk dihen kushtet si janë kryer dhe si është manipuluar produkti. Mishi në momentin kur shkrin humbet një pjesë të proteinave, lëndët minerale. Mishi i pulës shkrihet shumë shpejt, është një produkt që kontaminohet shpejt dhe rreziku që mban është shumë i lartë. Shkrirja kërkohet në kushte të kontrolluara dhe kur mishi është i shkrirë qulloset, merr ngjyrë të kuqe, rrudhoset, bie masa muskulare dhe humbet likuidin”, tha Sulaj.

Dekani Kapllan Sulaj foli dhe për bashkëpunimin me AKU dhe mungesën e mbledhjes së bordit për afro 1 vit. Ai tha se fatkeqësisht përveç një drejtori të AKU që mund të ketë pasur informacion mbi sigurinë ushqimore, pjesa tjetër nuk kanë qenë të specializuar, ndaj theksoi se vënia në krye të AKU të një profesionisti, rrit impaktin e institucionit për rritjen e sigurisë ushqimore.
“Bordi i AKU ka ekspertë të mirë që kanë lidhje me ushqime, por kanë afro 1 vit që nuk jemi mbledhur, pasi thirrjen e bordit e bën drejtori i përgjithshëm dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur në atë institucion dhe pse nuk është iniciuar mbledhja e bordit. Kemi bashkëpunuar me AKU, ndaj i bëj thirrje drejtorit dhe strukturave të reja që të thërrasin bordin dhe të diskutojnë çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore. Me përjashtim të një drejtori që kishte informacion për sigurinë ushqimore, të tjerat nuk kanë pasur dijeni. Ndaj vënia në krye të AKU të një profesionisti rrit impaktin e institucionit për rritjen e sigurisë ushqimore”, shprehet Kapllan Sulaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb