Nga: AHMET SHQARRI*

Është një lloj specie që vetëpompohet për t’u fryrë, duke ju plasur pastaj në fytyrë turmës së cilës nuk i mbetet veçse të hutohet edhe më shumë nga ç’është. I gjen kudo, të sajuar e të shfaqur gjithfarësoj, ca sikur të ishin mendimtarët apo shkronjësit më të shquar të historisë së këtij vendi, paçka se janë duke e bërë lëmsh atë; disa të tjerë, po ashtu vegjetues e ndërkohë mashtrues, përpiqen të zaptojnë çdo qelizë, madje dikush, “merita” e vetme e të cilit ka qenë se ka bërë ndonjë muaj burg, është ngjitur deri edhe në poste drejtuese, ndërkohë që shumica prej këtij kallëpi fals, si vemje ngjiten e nuk shqiten prej trungut amtar, që të mund t’ia thithin deri në fund edhe atë pak palcë që i ka mbetur. Me një fjalë, po rrethohemi gjithnjë e më tepër me specie të këtij lloji, që na e bëjnë edhe më të vështirë këtë jetë që po përpiqemi ta kullandrisim disi. Por, sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo racë e përçudnuar, prej saj po shohim të na imponohet edhe modeli që duhet të ndjekim në jetën tonë të përditshme! Pasi u dendëm për ditë e ditë të tëra, e vazhdojmë të na dhëmbë koka prej dërdëllitjeve të pafund rreth një libri që çalltis dhunshëm e me çdo mjet të lërë në hije gjithë letërsinë e deritashme të këtij vendi, e bashkë me të edhe vetë kollosin Kadare(!!!), një “hero” tjetër i stisur po na del në skenë këto ditë për të na mashtruar me historinë e ca gjyqeve andej nga Zvicra, që po kurdisen kundër futbollit shqiptar prej ca “miqve” tanë të dikurshëm që s’i ndanim asnjëherë nga sofra, por që tani, çuditërisht, na qenkan kthyer në bukëshkalë!?
Siç u mësua, Komisioni i Apelit në UEFA la në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës për skandalin e ndodhur në stadiumin e Beogradit në ndeshjen e 14 tetorit të këtij viti mes Serbisë e Shqipërisë, duke barazuar kështu edhe njëherë tjetër bëmat e kriminelit me pasojat e viktimës! Një gjë kjo, që sipas vetë drejtuesve të federatës sonë përkatëse ,”pritej”(!), edhe pse për të shkuar deri tek kjo “pritje”, u desh shumë kohë e mund dhe për mbi të gjitha mjaft euro dhe dollarë të çuara dëm, duke mbetur tani si zgjidhje e vetme pozitive dhe e fundit për ne, një gjykatë tjetër, ajo e Arbitrazhit në Lozanë, që do të kërkojë të derdhen të tjerë thasë me para’ për ca avokatë italianë, anglezë, apo dreqi e di se çfarë tjetër janë ata, të cilët do të na mbrojnë atje në Zvicrën e ftohtë, kur fare mirë, shumë gjëra duhej të ishin zgjidhur pikërisht në Beograd, në mbrëmjen e tmerrshme të asaj ngjarjeje makabre që u pa nga e gjithë bota. Në vend që mes asaj masakre të ngrihej që aty zëri i protestës, duke i bërë apel botës mbarë nëpërmjet medias ndërkombëtare e pranishme atje, rreth asaj mynxyre të pashembullt që serbët po derdhnin mbi futbollistët tanë, përkundrazi, u gjet një tjetër mjet, i shëmtuar dhe i përbuzshëm, ai i fshehjes nëpër kthinat e stadiumit të të gjithë “delegacionit” tonë klanor, që mezi ç’priti rastin të arratisej nga Beogradi, për t’u pritur pastaj si “heronj” në Rinas! Megjithatë, demagogjia dhe mashtrimi mbeten ende si identitet përcaktues për të ashtuquajturit protagonistë të ngjarjeve të ndryshme skandaloze që ndodhin mes nesh, përfshi edhe rastet e sportit në përgjithësi, që ashtu siç po trumbetohen, kanë si qëllim të mbulojnë shumë prapësi që bëhen në kurriz të tij. Për këtë mjafton të kujtojmë peshëngritësit tanë, kampionë të botës, që ende pa u shpërblyer materialisht për arritjen e tyre madhështore, megjithatë, përdoren sikur të ishin manekinë, për t’i vendosur nëpër “vitrina” ceremonish e përvjetorësh, siç bënte dikur edhe Byroja Politike, poshtë tribunave “festive” të të cilëve parakalonte populli gjithnjë i mashtruar…
Dëmi i asaj nate të ‘Shën Bartolomeut” në Beograd, për fatin e keq të të gjithë opinionit publik, vazhdon të përdoret si një flamur patriotizmi e për më tepër të një nacionalizmi kallp, që s’ka të bëjë aspak me synimet drejt të cilave ne jemi angazhuar të mbërrijmë në bashkësinë europiane. Të bësh të fortin mes të dobëtëve, apo të pasurin mes të varfërve, kjo po ngjet me këta drejtuesit tanë, të cilët duke kujtuar se kanë “sukses” këtu, ndërkohë, jashtë kufijve tanë kthehen në ca mjeranë pa asnjë vlerë e dinjitet. Kjo gjë po shihet më së miri këto ditë me gjithë këtë zhurmë deklaratash dhe intervistash që janë duke bërë nëpër aeroporte e televizionet tona këta “heronj” të stisur të këtij futbolli, të cilët në vend që të turpërohen për veprimet e tyre të mbrapshta, përkundrazi, po bëjnë ç’është e mundur që të marrin të tjera dekorata, të pamerituara, siç ka ndodhur deri tani, kur kjo gjë është kthyer gati në një grotesk deri në nivelet më të larta partiake, pushtetore e qeverisëse!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: