Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për avokatin Devis Qana dhe efektivin e policisë Haki Dyli të cilët akuzohen se iu merrnin qytetarëve nga 2 mijë euro duke i mashtruar se do ndikonin në favor të tyre në çështje gjyqësore.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe mediat kanë mësuar pak detaje nga gjyqi.
Por në fund, trupa gjykuese ka vendosur t’i lërë në burg si avokatin e Dhomës së Avokatisë në Tiranë ashtu edhe punonjësin e policisë Haki Dyli, caktuar me detyrë shërbimi në sigurinë e godinës së gjykatës.

Ata u arrestuan nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme më 10 korrik për llogari të procedimit penal të nisur mbi bazën e kallëzimit të kryetares së Gjykatës znj. Joana Qeleshi.

Kallëzimi u krye nisur nga dyshimet se punonjësi i policisë Haki Dyli merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa dijeninë e këtyre të fundit, duke u premtuar dhe mashtruar qytetarët mbi zgjidhjen në favor të tyre të çështjeve gjyqësore në bashkëpunim me avokatin.

Pas arrestimit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës u distancuarnga ngjarja dhe dënoi çdo veprim të paligjshëm të kryer në dëm të qytetarëve dhe punonjësve të drejtësisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb