Aksi rrugor nacional Skuraj-Burrel vijon të jetë problematik për të gjithë përdoruesit e kësaj rruge. Këtë të hënë drejtuesit e automjeteve janë përballur me gurë të mëdhenj në të gjithë rrugën duke vënë në rrezik jetën. Kanë qenë vetë drejtuesit e mjeteve që janë ndaluar dhe kanë hequr disa nga gurët e mëdhenj që kishin rënë në asfalt.

I gjithë segment nga tuneli i madh e deri tek ura e Ulzës është i mbuluar nga gurët. Drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët shprehen se nuk kanë parë asnjë punëtorë apo makinë të firmës mirëmbajtëse duke bërë pastrimin. Me ardhjen e natës, situata do të bëhet akoma më problematike, pasi shikueshmëria e përdoruesve të rrugës do të jetë më e kufizuar. Drejtuesit e mjeteve i bëjnë apel autoriteteve që të ndërhyjnë sa më parë dhe të pastrojnë rrugën sa nuk ka ndodhur ndonjë aksident i rëndë pasi nga kontakti me gurët në asfalt, mjetet mund të përfundojnë në liqenin e Shkopetit.

Rënia e gurëve në këtë aks rrugor është problem i vazhdueshëm. Firmës mirëmbajtëse i përfundon kontrata vetëm pas 4 ditësh e mbase kjo ka bërë që ajo të mos dalë më për të monitoruar rrugën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb