NGA KLODIANA HAXHIAJ*

DURRËS- Maskat grabisin një bar-kafe e pikë bastesh në sektorin Hekurudha në plazhin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Pronari i lokalit, Malo Istrefi, në një intervistë për “GSH” tregoi me detaje ngjarjen, ndërsa deklaroi se dyshon që autorët janë banorë të zonës. Ai u shpreh se është taksapagues i rregullt, ndaj i bën apel policisë që të identifikojë e të vërë në pranga autorët e krimit.
Zoti Istrefi, kur ka ndodhur ngjarja?
Rreth orës 03:00 të 16 korrikut. Tre persona të maskuar me kapuçë të zinj kanë zbritur nga një “Audi A4” dhe kanë thyer derën me levë. E gjithë grabitja është e filmuar. Dyshohet që një person i katërt ka qëndruar në makinë dhe i ka pritur. Grabitësit më morën 10 televizorë plazma 32 e 52-polësh. Ata kanë menduar se e kanë fikur kamerën e sigurisë, por ka filmuar kamera tjetër, pasi i gjithë ambienti survejohet.
Çfarë bënë grabitësit më pas?
Grabitësit u rikthyen pas pak minutash. Ata morën pjesën tjetër të mallrave dhe kasafortën që gjendej në lokal, ndërsa ikën të pashqetësuar. Dëmi i shkaktuar në lokal e kalon shifrën 10 mijë euro.
E lajmëruat policinë?
Po, policia mbërriti dhe sekuestroi si provë material filmimet e bëra nga ne. I pa të tre autorët, por na thanë ‘s’kemi ç’bëjmë nuk i identifikojmë dot autorët se janë me maska’. Është tmerr, pasi mua më vidhet e gjithë pasuria që kam, ndërsa policët e plazhit më thonë ‘nuk kemi çfarë të bëjmë’. Kam dyshime për këtë.
Përse keni dyshime?
Këta janë një bandë grabitësish që mësyjnë në zemër të plazhit. Po të analizohen filmimet, del kush janë. Dyshojmë që janë banorë të zonës.
Zoti Istrefi, cili është apeli juaj?
Unë i bëj thirrje ministrit Saimir Tahiri të shikojë se me çfarë punonjësish policie e ka lënë popullin. Kam shumë dyshime këtu në lidhje e punën e policisë. I bëj thirrje policisë të gjejë autorët e grabitjes.
A kanë ndodhur të tjera grabitje në zonë?
Në të njëjtën natë, kur u grabit lokali im ka ndodhur edhe grabitja e një makine në lagje. Më thanë që ishte grabitur edhe një shumë prej 7 milionë lekësh po në zonën e plazhit në një familje, ndaj kërkoj siguri e garanci nga shteti e policia.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb