SHKODER

Kur në Shqipëri duhen edhe dy ditë nga protesta e radhës e opozitës dhe kur vendi ndodhet në një kaos politik dhe social, arqipeshkvi i Shkodrës, monsinjor Angelo Massafra ka bërë thirrje për paqe dhe zgjidhje të konflikteve politike mes palëve të përfshira.

Këtë mesazh arqipeshkëvi Massafra e dha gjatë aktivitetit të paraqitjes së Nxitjes Apostolike të Papa Françeskut, aktivitet i zhvilluar në famullinë e Shkodrës në sallën “Kardinal Mikel Koliqi”.

“Në këtë kohë kemi nevojë të rifitojmë gëzimin. Problemet në këtë kohë janë të mëdha. Urojmë që politika të arrijë një konsensus. Me ndihmën e ndërkombëtarëve të arrihet konsensusi”- ka thënë ndër të tjera Angelo Massafra.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Nunci Apostolik në Shqipëri Charles John Brown i cili edhe pse ka pak kohë në Shqipëri mesazhin e tij e dha në gjuhën shqipe. Atë Gazmend Tinaj ishte një prej relatorëve bashkë me dom Lorenzo Carlo Rosseti të cilët folën për Nxitjen Apostolike të Papa Françeskut. Nxitja apostolike e Papa Françeskut “Gëzoni e Galdoni” është një thirrje për ta shenjtëruar jetën në botën bashkëkohore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: