NGA OP.DR. REZARTA KAPAJ

Të gjithë e njohin Angelina Jolie si një “sex symbol”, si një aktore e afirmuar dhe së fundmi si një nënë e përkushtuar. Por, askush nuk e priste lëvizjen e saj të guximshme, veprimin që e bëri të vlerësohej jo vetëm nga publiku i gjerë, nga media, por edhe nga rrethet mjekësore. Kjo grua guximtare, tashmë në rrethet e kirurgëve plastike nuk njihet më vetëm si fytyra më e zgjedhur për pacientë të kirurgjisë estetike, por shembulli më i njohur i kirurgjisë rikonstruktive të gjirit.

Kanceri i gjirit, duke qenë kanceri më i hasur shpesh tek gratë, tërheq vëmendjen tek një koncept i rëndësishëm, konceptin e “gjirit me rrezik të lartë”. Interesi për informacion të mëtejshëm në këtë temë ka ardhur duke u rritur, jo vetëm midis mjekëve, por edhe midis pacientëve. Analiza gjenetike është kriteri më objektiv për të mësuar rrezikun konkret. Rreziku i një gruaje që të zhvillojë kancer të gjirit gjatë jetës së saj varion midis 10-13 %. Kjo përqindje alarmuese, ngrihet në 50-80 % në gratë me gjenet BRCA pozitive. Faktorë të tjerë të njohur, të cilët rrisin rrezikun janë të afërm të shkallës së parë të diagnostikuar me kancer të gjirit, lezione atipike ose hiperplazike në gji, carcinoma in situ duktale ose lobulare, mikrokacifikime në mamografi, mungesa e fëmijëve, menarshe e herët dhe menopauzë e vonë.

Një tjetër faktor i cili duhet konsideruar si indikacion për kirurgjinë profilaktike, është dëshira e pacientes. Frika nga sëmundja, kontrollet e shpeshta dhe biopsitë e njëpasnjëshme janë arsye që e shtyjnë pacienten dhe mjekun të konsiderojnë opsionin e kirurgjisë. Një tjetër arsye që shtyn drejt ndërhyrjes profilaktike në gji, është prania e sëmundjes në gjirin tjetër, faktor i cili ngre rrezikun e sëmundjes në të ardhmen, edhe në gjirin e shëndetshëm.

Gjatë mastektomisë profilaktike ruhet lëkura e gjirit dhe kompleksi nipple-areolar, pra koka e gjirit dhe zona e ngjyrosur rreth saj. Pasi zbrazet indi i gjirit, për ta zëvendësuar vendoset ose një protezë, ose ind i marrë nga një zonë tjetër e trupit të vetë pacientes. Përpara operacionit, kirurgu plastik bën disa llogaritje dhe vendos për masën e protezës që do të vendoset. Gjithashtu, në konsultën paraoperatore, pacientja shpreh dëshirën për të patur të njëjtën madhësi gjiri, ose ta zmadhojë ose ta zvogëlojë disi.

Konvaleshenca nga operacioni zgjat 3 ditë deri në një javë, nga të cilat 3 netët e para kalohen në spital. Pas javës së dytë lejohen ecjet dhe vrapimet e lehta; pas javës së gjashtë lejohet palestra. Që në ditën e tretë pas operacionit vishen recipeta të posaçme dhe në dukje nga jashtë, askush nuk e kupton që pacientja i ka hequr të dy gjinjtë.

Ky operacion mund të jetë një ndërhyrje për të ulur rrezikun e kancerit për onkologët dhe kirurgët e përgjithshëm, por për kirurgët plastike ekziston gjithashtu aspekti estetik i çështjes. Këshilla për heqjen e një gjiri të shëndetshëm është mjaft traumatizues për pacientët dhe një rezultat jo estetik do ta shtonte ndjeshëm këtë traumë. Por në shumicën dërrmuese të pacientëve, gjiri pas operacionit ka një pamje më të bukur se gjiri paraoperator dhe pacientët shprehin se janë të lumtura, jo vetëm se kanë ulur në minimum rrezikun e kancerit, por edhe sepse kanë një gji më të ngritur dhe më rinor.

Ashtu si personazhi jonë në këtë artikull, edhe unë si ajo, mendoj se parandalimi është kura më e mirë; sensibilizimi dhe informacioni sa më i detajuar, janë armët më të forta në luftën me këtë sëmundje agresive. Pra, mësoni opsionet tuaja deri në detaje dhe kini parasysh që vendimet për trupin tuaj mund t’i merrni vetëm Ju!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb