Nga sinergjia ndërmjet Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Departamentit të Arkitekturës të Universitetit të Firences dhe Universitetit të Gjirokastrës “Eqrem Çabej”, lindi vullneti për të realizuar një Master dedikuar fushës së restaurimit dhe menaxhimit të siteve pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.
Masteri “International Master Degree on Restoration, Conservation and Management of Architectural Heritage” do të zhvillohet në Universitetin Katolik ZKM dhe Universitetin e Gjirokastrës dhe do të përfshijë pedagogë nga Universiteti i Firences për zhvillimin e një programi të integruar studimi, me kohëzgjatje një vjeçare (60 ECTS).
Aktivitetet e Masterit do të zhvillohen në gjuhën angleze dhe / ose italiane dhe në përfundim të tij do të lëshohet një titull i përbashkët i vlefshëm në Itali dhe Shqipëri.
Qëllimi i Masterit është të formojë teknikë të specializuar në projektimin e restaurimit të ndërtesave historike, duke krijuar mundësi të reja punësimi në fushën e ndërtimit. Integrimi ndërmjet kulturës italiane dhe asaj shqiptare synon të përgatisë teknikë që punojnë në zonën e Mesdheut duke pasur të njëjtat objektiva dhe të njëjtin formim.
Plani i studimit është ndërtuar duke parashikuar një fazë fillestare me leksione në prezencë dhe një fazë me seminare në të cilën studentët dhe pedagogët trajtojnë tematikat e modulit.
Ndërthurja e lëndëve të ndryshme (Rilievimi dhe paraqitja arkitekturore, Diagnostika arkitekturore dhe strukturore, Menaxhimi i trashëgimisë kulturore, Vlerësimi i trashëgimisë historike artistike, Legjislacioni, etj.) do u garantojë të regjistruarve një panoramë të plotë të të gjitha aspekteve të projektit të restaurimit. Seminaret do të jenë të llojit “praktikë /të zbatuar” për aktivitetet e ndryshme të moduleve.
Moduli i fundit është i përqëndruar në menaxhimin e siteve pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore, për formimin e city managers që do të trajtojnë jo vetëm proceset praktike të restaurimit, por edhe ato menaxheriale.
Marrëveshja e bashkëpunimit me Departamentin e Arkitekturës në Firence do të lejojë “shfrytëzimin” e përvojës prej dekadash që ky Departament ka ngritur ndër vite, duke u bërë një referencë ndërkombëtare në fushën e restaurimit, në bashkëpunim me institucionet kryesore të mbrojtjes dhe me shumë studiues nga mbarë bota.