NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Ministria e Arsimit ka miratuar kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve me statusin e ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politik nga sistemi komunist, të verbrit, invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, jetimit, romët dhe ballkano-egjiptianët, për programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”/”Master i Arteve të Bukura”, për vitin akademik 2015 – 2016. Këta kandidatë duhet të dorëzojnë dokumentet brenda datës 9 nëntor 2015 në MAS. Po ashtu, MAS ka parashikuar se në datën 20 nëntor do të shpallen fituesit dhe se regjistrimi i tyre do të bëhet në sekretaritë mësimore deri në 27 nëntor. Kjo kategori studentësh që do të fitojnë të drejtën të ndjekin ciklin e dytë të studimeve, në Master Profesional, do paguajnë vetëm 50% të tarifës së shkollimit, ndërsa ata që ndjekin “Master Shkencor” dhe “Master i arteve të bukura” përjashtohen nga tarifa e shkollimit.

DOKUMENTET
Sipas udhëzimit nr. 49, datë 02.11.2015, kandidatët me statusin e ish-të dënuarit politik dhe ish-të përndjekurit politik, të verbrit, invalidët paraplegjik dhe tetrapelegjik, jetimët, si dhe romët dhe ballkano-egjiptianët, aplikojnë direkt në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, nga data 2 nëntor deri në datën 9 nëntor 2015. Kandidatët shprehin 5 preferenca të ndryshme lidhur me aplikimin në programet e preferuara të studimit. Aplikimi bëhet duke dorëzuar në MAS, personalisht dokumentacionin e mëposhtëm në dy kopje: për të gjithë kandidatët duhet një letër motivimi, ku shpjegohen arsyet përse po zgjedh këto programe studimi, formularin e aplikimit, ku përcaktohen pesë degë, të cilat renditen sipas prioriteteve, diplomë universitare e ciklit të parë të studimeve dhe listë notash; fotokopje e noterizuar e diplomës së maturës së bashku me certifikatën e notave, fotokopje e dokumentit të identifikimit dhe dy fotografi personale.

Për kandidatët që kanë statusin e ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politik, duhet fotokopje e njësuar në Republikën e Shqipërisë të dokumentit që vërteton statusin e ish-të dënuarit, të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve; për ish-të përndjekurit politikë duhet fotokopje e njësuar në Republikën e Shqipërisë të dokumentit që vërteton statusin e ish-të përndjekurit, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Kandidati me statusin e invalidit para ose tetraplegjik, plus dokumenteve të mësipërme duhet të dorëzojë edhe fotokopjen e noterizuar të librezës së invalidit, të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror, ose kopje të noterizuar të vendimit të KMCAP. Kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë fotokopjen e noterizuar të dokumentit që certifikon statusin e jetimit, të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.

Po ashtu, edhe kandidati rom dhe ballkanoegjiptian duhet të dorëzojë dhe vetëdeklarim ose një dokument që vërteton se është pjesë e këtyre komuniteteve. Sipas udhëzimit të MAS, komisioni i posaçëm që do të ngrihet brenda datës 16 nëntor shqyrton aplikimet e kandidatëve. Pjesë e vlerësimit janë edhe intervistat me secilin kandidat. Vlerësimi do të bëhet mbi kriterin e meritës, bazuar në notën mesatare të ciklit të parë të studimeve dhe të viteve të shkollës së mesme. Nëse do të ketë kandidatë me pikë të barabarta, ata do t’i nënshtrohen testimit që do të kryhet nga MAS. Brenda datës 20 nëntor 2015 MAS shpall fituesit dhe i përcjell në universitetet përkatëse. Kandidatët fitues regjistrohen brenda datës 27 nëntor 2015.

KUOTAT & TARIFAT
Kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresat sociale përjashtohen nga pagesa e tarifës së shkollimit për “Master Shkencor”, ndërsa ata që do të ndjekin “Master Profesional” do të paguajnë 50% të tarifës.

Sipas vendimit të qeverisë, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit studentët që ndjekin ciklin e parë të studimeve “Bachelor”, programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, me formë studimi me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si: personat që nuk shikojnë/dëgjojnë; invalidët e punës dhe fëmijët e tyre; invalidët; invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre; jetimët; romët; ballkanoegjiptianët; personi, njëri nga prindërit e të cilit është ndarë nga jeta, dhe familja, në këtë rast, përfiton ndihmë ekonomike nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore; ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga sistemi komunist ose fëmijët me prindër të dënuar politikë me heqje lirie; fëmijët e policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura që kanë humbur jetën ose janë plagosur për shkak të detyrës; të prekurit nga HIV/AIDS.

Po ashtu, studentët që janë pjesë e shtresave sociale të sipërpërmendura, paguajnë vetëm 50% të tarifës vjetore të shkollimit nëse ndjekin ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional” ose “Master i Shkencave”/ “Master i Arteve të Bukura”, me formë studimi me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë. Në “Master Profesional” janë miratuar 20 kuota për të verbrit, 20 për romët dhe ballkano-egjiptianët, 20 kuota për invalidët para dhe tetraplegjikë, 20 kuota për jetimet si dhe 110 kuota për ish-të dënuarit dhe ish-të përndjekurit politikë. Ndërsa në “Master Shkencor” dhe “Master i Arteve të Bukura” janë miratuar për secilën kategori po nga 20 kuota, me përjashtim të ish-të përndjekurve, që nuk u është miratuar asnjë kuotë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: