NGA OLA MITRE

TIRANE- Një javë pas zhvillimit të provimit të Matematikës nga maturantët, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar përgjigjet e sakta të testit për variantin B. Në fakt, është hera e parë që ky dikaster nuk publikon menjëherë pas përfundimit të provimit zgjidhjen e saktë të testit për të dyja variantet, duke lënë në ‘terr’ 50% të maturantëve.

Kjo pasi në datën 17 qershor u bë publik vetëm varianti A, ndërkohë që ende sot nuk është publikuar çelësi i përgjigjeve për gjimnazin gjuhësor dhe atë profesional. Në provimin e Matematikës morën pjesë 42 mijë maturantë, ndërkohë që teza kishte në total 25 pyetje nga të cilat 13 me zgjedhje (alternativa) dhe 12 me zhvillim.

Ata kishin në dispozicion 2 orë e 30 minuta, por procesi u shoqërua me akuza për daljen e tezës para nisjes së provimit. Në rrjetet sociale qarkulloi edhe një tezë, që sipas publikuesve përmbante pyetjet që do të binin në provim. Megjithatë, ajo u hodh poshtë nga MAS, e cila përmes një deklarate për shtyp e konsideroi të pamundur daljen paraprake të saj.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hartuar një proces të tillë administrimi të tezës, i cili siguron pamundësinë e daljes së çfarëdo informacioni deri përpara hapjes së tezës përcaktuar të dorëzohet për të gjithë maturantët ditën e premte datë 17 qershor 2016, ora 10.00, në të gjitha qendrat e provimit në vend. Kjo pasi procesi i hartimit të tezës zhvillohet në masa të rrepta sigurie në ambiente ku hartuesit e saj janë të izoluar dhe nuk kanë mundësi komunikimi me ambientet e jashtme të godinës ku ata janë ngujuar. Nga ana tjetër, sqarojmë publikun se tezat janë shoqëruar dhe ruhen në të gjithë vendin nga forcat e rendit dhe punonjës të përzgjedhur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”,- thuhej në reagimin e MAS.

Pas provimit të gjuhës së huaj me detyrim, Gjuhës Shqipe e Letërsisë dhe Matematikës, maturantët do t’i nënshtrohen 2 provimeve të fundit, që janë lëndët me zgjedhje. Ashtu sikurse është përcaktuar në udhëzimin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ai do të zhvillohet ditën e sotme, ndërkohë që sot “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë përgjigjet e sakta për variantin B të provimit të Matematikës.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: