Ditën e djeshme, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së lojërave të fatit pas 31 dhjetorit të këtij viti. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Mateo Spaho, ekspert ekonomie dhe njëkohësisht dekan i Fakultetit Ekonomik pranë Universitetit “Luarasi” thekson se mbyllja e pikave të basteve brenda një periudhe 2 mujore, mund të ketë pasoja të rrezikshme. Sipas tij, ndalimi i lojërave të fatit, do të sjellë vështirësi në konvertimin e bizneseve për rreth 9 mijë biznese që ushtrojnë këtë aktivitet në Shqipëri.

Por Spaho thekson, gjithashtu, se lojërat e fatit ndikojnë negativisht në të ardhmen e ekonomisë tonë, sepse pengojnë diversifikimin e aktiviteteve ekonomike, dekurajojnë shkollimin e të rinjve, rrisin gjasat për konflikte në familje, si dhe krijojnë iluzione të rreme pasurimi. Eksperti i ekonomisë e vlerëson si qesharake, mundësinë për ta bërë monopol shtetëror këtë biznes.

Në parlament u miratua projektligji që konsiston në mbylljen e pikave të basteve sportive në të gjithë vendin. Si e vlerësoni ju si ekspert ekonomie këtë ligj?
Si ekspertë ekonomie duhet të ndajmë moralin nga ekonomia. Nëse nga pikëpamja e moralit mund të themi se lojërat e fatit dhe fitimi i parasë në mënyrë të shpejtë dhe duke përdorur rrugë të shkurtra janë të dëmshme për shoqërinë tonë pasi krijojnë iluzionin e një pasurimi pa punë dhe lodhje, nga pikëpamja ekonomike duhet përmendur se ndalimi i tyre krijon problematika ekzistenciale për më shumë se 9 mijë biznese dhe mesatarisht për mbi 30 mijë persona. Duhet përmendur se nga 10 kompanitë më të mëdha shqiptare, 3 merren me lojëra fati.

Kjo tregon se pasojat në një kohë afatshkurtër mund të jenë të rrezikshme. Me këtë gjë duhet të theksoj se nuk jam kundër mbylljes së lojërave të fatit dhe qendrave të basteve në rrugët dhe lagjet e qyteteve tona por krahas masave të tilla shtrënguese duhen krijuar lehtësira për bizneset në mënyrë të tillë që një pjesë të atyre 9 mijë bizneseve që rrezikojnë mbylljen të kenë mundësi për të ndryshuar aktivitetin e tyre. Duhet të them, gjithashtu, se aprovimi i një ligji me vetëm 2 muaj paralajmërim është një periudhë kohe afatshkurtër që individët të mendojnë në mënyrë serioze për konvertimin e aktiviteteve të tyre.
Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al:
http://www.gsh.al/2018/10/26/mateo-spaho-monopolizimi-i-lojerave-te-fatit-nga-shteti-qesharak/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: