TIRANË

Teksa Komisioni parlamentar hetimor për shkarkimin e Presidentit do të miratojë sot raportin përfundimtar për Presidentin e Republikës, i cili do t’i shkojë më pas parlamentit për votim, ka pasur dhe diskutime para votimit.

Deputeti Spartak Braho teksa vlerësoi punën e komisionit dhe konstitucionalistëve, tha se Presidenti ka rënë moralisht. Ai e cilësoi raportin 97 faqesh një material kinematokrafik.

“Vlerësoj në mënyrë të veçantë akuzën, grupin e punës që u morën posaçërisht, por natyrisht veprimtarinë, diskutimet e mjaft kolegëve të tjerë gjatë diskutimit të kësaj çështjeje.
Ne angazhuam gjatë veprimtarisë sonë një grup ekspertësh përbërë nga dy konstitucionalistë për të cilët nuk do kursej fjalët e mira për nivelin e tyre.
Ky president ka rënë moralisht. Ky është një përfundim sa logjik dhe i kuptueshëm dhe i pranueshëm për opinionin.
Ai nuk ka funksionuar si president dhe për mjaft arsye morale dhe ato janë pjesë e atij materiali të gjerë kinematografik se kështu do konsiderohen më vonë, filma multiplikativë me presidentin tonë. Vlerësoj punën e kryer”, tha Braho.
Deputetja Vasilika Hysi e cilësoi një dokument gjithëpërfshirës. “Ky raport do jetë një dokument studimi e kërkimi për breza të tërë të akademikëve, studentëve, kërkuesve e qytetarëve për rolin e Presidentit në një periudhë të caktuar kohe. Mënyra si është hartuar justifikon rëndësinë e çështjes”, deklaroi Hysi.
Kreu i grupit parlamentar demokrat Myslim Murrizi kërkoi një raport i koncentruar, përmbledhës t’iu vihet në dispozicion 122 deputetëve para votimit.
“Unë personalisht besoj dhe kolegët nuk është se jemi këtu për të realizuar tekat, por arroganca e cilido zyrtari të shtetit besoj që duhet të marrë fund në mbylljen e një tranzicioni rraskapitës të gjatë. Desha të shpreh votën time pro. Një dispozitiv të shkurtër, jo i gjithë raporti 97 faqesh, mendoj që për 122 deputetët të ketë një material përmbledhës, konciz, përpara se të vijë data në lidhje me votimin në seancë”, tha Murrizi.
Sekretarja e Komisionit, deputetja e PS Klotilda Bushka tha se ky raport dhe puna e komisionit nuk ka qenë një punë e lehtë. “Nuk është një proces për të cilin ndihemi krenarë. Nuk është një situatë që na vë në pozita komode. Ky proces tekniko-juridik. Do doja t’i falënderoja të gjithë kolegët”, tha Bushka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb