NGA: Lediona Xheladinaj*
POGRADEC- Mungesa e investi meve ka çuar drejt rrënimit godinën e maternitetit në qytetin e Pogradecit. Ambientet e brendshme të kësaj ndërtese janë pushtuar nga lagështia dhe myku. Për shkak të amortizimit të tarracës, shiu që bie jashtë, futet brenda. Ndërkohë që gjendja e tualeteve është skandaloze dhe pacientet rrezikojnë shëndetin e tyre nga infeksionet.

Gjendja skandaloze në këtë institucion shëndetësor pranohet dhe nga shefi i pavionit të Shtëpisë së Foshnjës, Ilir Gusho, i cili dje pohoi se një situatë tillë ka bërë që pacientet të braktisin Shtëpinë e Foshnjes dhe t’u drejtohen klinikave private. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Gusho u shpreh se ndërtesa rrezikon të kthehet në gërmadhë dhe se duhet të ndërhyhet urgjentisht për rikonstruksionin e saj. Gjithashtu, Ilir Gusho tha se ka një projekt për zhvendosjen e maternitetit tek godina e ish-spitalin infektiv. Mjeku deklaroi se stafi i maternitetit nuk është dakord me këtë projekt, pasi ndërtesa e ish-spitalit infektiv nuk ka ambientet e nevojshme. Sipas tij, zgjidhja më e mirë është rikonstruksioni i ndërtesës së maternitetit.

Si paraqitet gjendja aktuale e godinës së maternitetit?
Aktualisht godina e maternitetit në qytetin e Pogradecit është për të ardhur keq, pasi çdo gjë është skandal, ndaj dhe ndërhyrja duhet të kryhet sa më parë. Në të kundërt do të kemi rrënimin e saj. Ndërtesa është e amortizuar prej kohësh, sepse që nga koha kur ajo është ndërtuar, nuk është vënë asnjëherë dorë për rikonstruksionin e saj.

Ku konsiston ndërhyrja urgjente?

Ndërhyrja urgjente duhet në të gjithë godinën pa përjashtim. Fillimisht duhet të ndërhyhet për riparimin e tarracës, pasi çfarë bie jashtë, hyn brenda. Pastaj duhet të ndërhyhet tek tualetet, të cilat vetëm të tilla nuk janë. Tek sistemi hidraulik dhe sistemi elektrik, të cilat sigurisht janë konsumuar prej kaq vitesh dhe amortizimi i tyre bën punën e vet. Janë pikërisht këto shkaqet që ka filluar edhe degradimi i godinës së maternitetit.

A keni kërkuar ndërhyrje dhe a ka një projekt për rikonstruksionin e saj?
E kemi diskutuar dhe e kemi bërë problem edhe tek drejtuesi i institucionit të spitalit, që ka në varësi këtë godinë. Ai është në dijeni të gjendjes së mjerueshme të ndërtesës, por ndoshta këto janë mundësitë ekonomike të instancave përkatëse. Projekt për rikonstruksionin e kësaj godine me sa jam unë në dijeni nuk ka deri tani por ka një projekt për rikonstruksionin e një spitali tjetër dhe konkretisht të ishinfektivit pranë spitalit të qytetit, i cili do të kthehet në maternitet. Për këtë kemi diskutuar edhe me grupin e mjekeve, edhe me drejtorinë, por kemi gjetur shumë defekte në atë projekt të ish-efektivit, të cilat i di më mirë drejtoria.

Zhvendosja e maternitetit tek godina e ish-infektivit do të ishte zgjidhja e duhur sipas jush?
Absolutisht jo. Do të ishte një skandal më vete. Ndërtesa ku jemi aktualisht që në fillim është ndërtuar dhe krijuar për maternitet dhe ka të gjitha shërbimet dhe të gjitha ambientet për të qenë e tillë. Ndërsa, godina e ish-infektivit nuk është ndërtuar për maternitet dhe nuk i ofron ato shërbime, por thjesht do kalohet nga një ndërtesë tek një tjetër, pra një lëvizje e kotë, e cila nuk do të bëjë të mundur ofrimin e duhur të shërbimit për pacientet. Sepse të mos harrojmë që këtu që kur është ndërtuar ky maternitet është me dy salla operacioni, një setike dhe një asetike; me ashensor të ndërtuar që në vitin 1982, i cili momentalisht ka dalë jashtë funksionit. Materniteti ka ambientet e largimit të mbetjeve spitalore, pra ambiente të veçanta për largimin e tyre dhe nuk komunikojnë me asnjë ambient tjetër të maternitetit. Kjo është një anë shumë e mirë për të shmangur infeksionet. Çarçafët për lavanteri kanë një ambient të veçantë dhe nuk kontaminohen me pavionin, plus që ka edhe një hapësirë shumë të madhe, siç duhet një maternitet.

Amortizimi i godinës ka ndikuar tek pacientet?
Sigurisht që ka ndikuar edhe shumë. Pacientet kanë braktisur këtë maternitet, pasi kushtet janë të mjerueshme. Është e turpshme dhe për të ardhur keq, por kjo është e vërteta. Pacientet u janë drejtuar klinikave private ku edhe paguajnë më shumë. Ato kanë të drejtë, pasi kemi të bëjmë me foshnja, të cilat e kanë të domosdoshme higjienën dhe kushtet e mira, pasi në çdo moment mund të marrin infeksione dhe sëmundje të rrezikshme që u kushtojnë jetën. Salla e lindjes, salla e aborteve nuk ofrojnë kushtet e duhura duke sjellë edhe braktisjen nga pacientet. Ndaj duhet urgjentisht riskontruksioni i ndërtesës.

(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: