Kushtet e vendosur javën e shkuar nga Bundestagu gjerman për çeljen e negociatave me Shqipërinë për antarsimin e saj në Bashkimin Europian janë përshëndetur gjerësisht jo vetëm si ndihmë e sinqertë për të arritur nivelin minimal për këtë hap por edhe si kontribut, madje udhërrëfyes, për daljen nga kriza politike e kushtetuese e agravuar. Se si arritëm tek shtimi i kushteve në numër e përmbajtje do të rrekem të sqaroj në shënimet e mëposhtëme.

Ulërima në Tiranë e sms në Berlin

Në 24 nëntor 2016, tok me përfaqsues të Partisë Demokratike, ishim ulur për darkë në një restorant pranë Kopshtit Zoologjik me delegacionin parlamentar të CDU-së gjermane në vizitë në Tiranë, të tëra të planifikuara prej muajsh siç i bëjnë gjermanët. Shefi  i delegacionit, njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit për Çështje të BE-së në Bundestag z. Gunther Krichbaum, vinte nga një konferencë shtypi në Rogner ku kishte paraqitur  shtatë kushtet e grupit parlamentar CDU/CSU për çeljen e negociatave të antarësimit në BE. Para se t’i bënte ato publike  programi parashikonte që në takime të veçanta delegacioni Krichbaum do j’a paraqiste ato kryeministrit Rama, liderit të opozitës Basha e ambasadorit të BE. Vizita në kryeministri ishte programuar para konferencës në Rogner; edhe për arsye praktike se dy hapa në këmbë e  arrije në sallën plot me gazetarë. “Shumë special takimi me kryeministrin tuaj” nisi të më tregonte gjermani i ulur anash meje. “I dhamë në dorë dosjen me raportin tonë dhe deklaratën e shtypit me shtatë kushtet dhe ai, sapo lexoi deklaratën deri tek kushti I fundit u ngrit në këmbë duke përsëritur me zërin në kupë të qiellit “”Ju nuk mund t’a bëni këtë! Kjo është poshtërsi!” Pastaj mori dosjen në dorë dhe filloi t’a përplastë mbi tryezë me sa i hante krahu. Meqë nuk po pushonte një zyrtare ju avit e me qasje amësore i kapi krahun dhe ja uli ngadalë derisa dosja u puthit me syprinën e tryezës e nuk lëvizi më. Pasi dolë nga takimi Rama kishte derguar plot 17 sms një funksionari të lartë  gjerman për t’u ankuar për ne dhe kështu që mbas Rognerit harxhuam nja dhjetë minuta në telefon me Berlinin për të sqaruar broçkullat e tij.”  I ulur matanë tavolinës një deputet I delegacionit  po i tregonte Lulzim Bashës se përvojën e tij të fundit të këtij lloji e kishte patur në Luhansk (Ukraina lindore) me  guvernatorin e përkrahur nga Moska e nga milicia e armatosur po nga Rusia. “Ai përplasi grushtin në tryezë, u çua në këmbë e me ulërimë po më thoshte se si duhet të ndryshonte politika gjermane ndaj Ukrainës e Rusisë. Unë kisha dy mundësi: të çohesha e të braktisja menjëherë takimin ose të përplasja dhe unë grushtin e t’i pérgjigjesha qartë e me ton të fortë. Ashtu si para një ore edhe në Luhansk ndodhi e dyta”.

Për bisedat mes politikanësh Rama e ka këshilluar para disa muajsh homologun kosovar se jo çdo fjalë mund të nxirret në pazar. Edhe pse në atë rast nuk kishte fort të drejtë,  këshilla në parim qendron dhe unë këtu po lë mënjanë të tjera detaje pikante edhe pse  domethënëse. Por edhe pse shtatë kushtet, për të cilat shkruaj më poshtë, janë ku e ku më të rëndësishme për Shqipërinë sesa episodet anekdotike, po shënoj edhe dy rradhë se si vijoi ky konflikt.

Rama e sulmoi Krichbaumin që atë natë përmes zyrës së shtypit si ” deputet të ektremit ksenofob” e “rival mistrec të Merkelit”. Të nesërmen me penën e tij ne facebook e quajti “deputet skutash”. Druaj sot e kësaj dite se Rama mund të ketë besuar me sendërgji në këto gjëra;  i vetëmbushur  si i “zgjedhuri i Merkelit në Ballkan e më gjerë” nuk I hynte në sy tjetërkush veç vetes;  ose edhe funksionarët rreth tij nuk guxonin t’i përcillini informacionin që merrnin; ose edhe ja përcollën  njëherë e ai ju a përplasi  dosjen në kokë e jo në tryezë. Mediat serioze që e shpjegonin Berlinin me autonominë e shtuar të Grupit CDU ndaj shefes së partisë që ishte kyçur në koalicion me socialdemokratët  apo që vetë kancelarja e priste Ramën me pompë ushtarake e mirësjellje diplomatike dhe dozën e përforcuar me ilaçe të paëmbla ja servirte me deputetët e saj me siguri nuk i hynin në sy liderit “global”. Fodullëku  a arroganca tok me inatin e fermentuar gjatë e çuan deri aty sa pas një vit e pesë muajsh përmes medive të veta nisi një sulm personal kundër Gunther Krichbaum-it madje pa kursyer edhe familjarë të tij. Jo vetëm i panevojshëm por me pasojë imediate që i prishi vetes një vizitë pune në Berlin në fundprill 2018 ku në vend që të shiste reformën në drejtësi e ju desh të bënte hasha veten e mediat e veta e të shihte drekat e tij të bojkotuara nga deputetët e Merkelit. Në fakt nuk më habit shpirtulësia  se sa budallallëku.

2014-2016: nga pesë prioritete në shtatë kushte

Dhe tani të kthehemi tek shtatë 7 kushtet tona. Që nga viti 2014 kur Shqipëria përftoi statusin e vendit  kandidat dhe hapi tjetër. drejt BE ishte çelja e negociatave për antarsim. Grupi Parlamentar CDU-CSU, të cilit do t’i duhej të votonte në Bundestag mbi këtë  çështje  angazhoi Grupin e Punës për Ballkanin Perëndimor (GPBP) të themeluar që në 2010 me deputetët seniorë të Politikës së Jashtëme e të BE për  një monitorim të imtë të zhvillimeve në Shqipëri; monitorim që në tërësi ishte i pavarur nga Ministria e Jashtëme e tyre. Me modestinë përkatëse më duhet të shënoj se PD ishte vetëm njëri nga burimet e GPBP; CDU kishte angazhuar institute, fondacione e qendra studimore për të skanuar çdo aspekt të “pesë prioriteteve” të Brukselit kundrejt raporteve që merrte nga Brukseli e Tirana zyrtare

Më 9 nëntor në Bruksel, 15 ditë më parë Komisioni Europian kishte publikuar raportin “Albania 2015” (ish progres raporti)  duke rekomanduar çeljen e negociatave me kushtin që të fillonte vetingu. CDU/CSU adoptoi një pozicion kolegjial të propozuar nga GPBP se ky rekomandim ishte i gabuar pasi në fusha kyç si ” reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, narkotrafiku, reforma zgjedhore e dekriminalizimi nuk kishte progres, madje kishte edhe regres”.  Për t’i vënë gjerat në kontekstin kohor nëntori 2016 po mbyllte vitin e Shqipërisë-Kanabistan dhe asokohe Elvis-Enver Roshi ishte ende kryebashkiak i Kavajës e periodikisht i shpallur i pastër nga Rama. Njoftimi zyrtar e publik i këtij pozicioni të partisë së kancelares Merkel në Tiranë ju ngarkua zotit Krichbaum dhe kjo sqaron gjithë sa më lart.

Ministrat e Jashtëm të shteteve antare mblodhën dy javë më pas, në 13 dhjetor 2016 në atë që quhet Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme dhe nuk e miratuan rekomandimin por  vendosën se Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë të qendrueshme, të plotë e përfshirëse pesë prioritetet shto këtu dekrimin, drogën e zgjedhjet parlamentare. Çfarë ndodhi në vazhdim e deri në ditët tona është një përpekje e ndershme nga shumë njerëz, grupime e institucione për të përmbushur këto kushte. Kjo përpjekje u vu  kundruall përpjekjes nga njerëz, grupime e institucione  të tjera për të ruajtur faktikisht status quo-n duke  pikturuar reforma në fasada të Potjemkinit (vijon).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb