Nga: OLA MITRE*

TIRANE- Agjencia Kombëtare e Provimeve ka pub likuar Formularin A2, i cili mund të plotësohet nga të gjithë ata maturantë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet universitare. Në formularin e këtij viti, kandidatët për institucionet publike të arsimit të lartë mund të përzgjedhin midis 289 degëve, të cilat janë të shpërndara sipas universiteteve në të gjithë vendin. Në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit janë shtuar 18 degë, ndërkohë që duke iu referuar kuotave të miratuara nga Këshilli i Ministrave, në vitin akademik 2015-2016 do të pranohen 20 221 studentë të rinj. Ndonëse AKP nuk ka publikuar udhëzuesin e plotë për mënyrën e plotësimit, sipas vendimit të qeverisë, pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë edhe këtë vit do të bëhet nëpërmjet parimit meritë-preferencë, përmes dy raundeve (aplikimi me dy formularët, A2 dhe A3). Ashtu sikurse vitin e kaluar, raundi i parë (aplikimi me formularin A2) do të zhvillohet në dy faza: Faza I, regjistrimi on-line dhe Faza II, ku përfshihet regjistrimi me dokumentacionet e kërkuara sipas udhëzimit të MAS që do të dalë në ditët në vijim, në sekretaritë e fakulteteve pranë institucioneve të arsimit të lartë publik, ku janë shpallur fitues. PIKËT MESATARE Para disa ditësh, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare e Provimeve, Rezana Vrapi bëri me dije se ata maturantë, që duan të bëhen pjesë e garës për në universitet kanë afat deri në datën 28 korrik për të bërë pagesën e Formularit A2. Po ashtu, ajo saktësoi edhe gjithë procedurën që duhen të ndjekin këta kandidatë për të mos u penalizuar nga plotësimi i këtij formulari. Për këtë arsye, sipas Vrapit, ata duhen të ndjekin një sërë hapash, duke filluar nga shkarkimi i faturës deri te regjistrimi në shkollat përkatëse, pasi në të kundërt do të humbasin të drejtën e kandidimit.

“Njoftojmë të gjithë maturantët/ kandidatët e Maturës Shtetërore 2015, të cilët dëshirojnë të plotësojnë Formularin A2 për përzgjedhjen e programeve të studimit preferencial midis atyre të ofruara nga Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, për vitin akademik 2015-2016, duke u bërë kështu pjesë e garës për t’u shpallur fitues sipas parimit meritë-preferencë, duhet të shkarkojnë nga faqja e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) ‘www.akp.gov.al’, faturën për arkëtim për plotësimin e Formularit A2. Faturën mund ta gjejnë edhe në rubrikën Matura Shtetërore -> Matura Shtetërore 2015 -> Paketë informuese për Formularin A2 2015 -> Fatura për arkëtim për plotësimin e Formularit A2, dhe më pas ta printojnë. Me këtë faturë të printuar duhet të paraqiten pranë zyrave të Postës Shqiptare apo secilit filial të bankave të nivelit të dytë për të kryer pagesën e tarifës përkatëse prej 2000 lekësh”, bëri me dije drejtoresha e AKP-së. Më pas, këta maturantë duhet të paraqiten në drejtorinë e shkollës, në të cilën kanë bërë aplikimin e Formularit A1, apo A1Z dhe të dorëzojnë mandatpagesën. Kjo pasi vetëm pas dorëzimit të mandatpagesës, punonjësi i autorizuar nga drejtoria e shkollës do të hedhë në sistemin informatik pikët dhe notën mesatare të tij. Sipas drejtoreshës së AKP-së, ata maturantët që nuk ndjekin procedurën e mësipërme nuk kanë mundësi të aplikojnë me Formularin A2 për shkak të mungesës në sistem të pikëve dhe notës mesatare. Për këtë arsye, të gjithë të interesuarit kanë afat për plotësimin e pikëve dhe notës mesatare në sistem deri në datën 28.07.2015, ora 16:30.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: