TIRANE- Ka nisur sot sezoni i vjeshtës i maturës shtetërore, ku pritet që në provime të hyjnë rreth 7 mijë maturantë.

Për pranimin në universitet, këta maturantë nëse do arrijnë të kenë mesatare 6 e lart, kanë të drejtën të aplikojnë në datë 23 shtator për kuotat e mbetura bosh, ndërkohë ditën e premte (2 shtator) maturantët do t’i nënshtrohen testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Sa i përket përmbajtjes së testit, secili provim i detyruar do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë.

Kështu, që një maturant të quhet kalues në provimin e detyruar të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duhet të marrë 20% të pikëve totale, pra minimalisht i duhen 10 pikë që të kalojë. Testi i provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë është i përbërë nga tri nivele, shkallët e vështirësisë ndahen në 40% për një nivel nënmesatar, 40% për një nivel mesatar dhe vetëm 20% e testit do të jetë për një nivel mbimesatar, që kërkon një përgatitje shumë të mirë të maturantëve. Në strukturën e testit, 45% të tij e zë teksti letrar, ndërsa 55% teksti joletrar.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: