NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Rezultatet e rreth 40 mijë maturantëve që hynë në provimin e gjuhës së huaj me detyrim pritet që rezultatet t’i marrin në datë 18 qershor, të shtunën e kësaj jave. Sipas zv/ministres së Arsimit, Nora Malaj, për publikimin e rezultateve të provimeve të maturës do të respektohet rregullorja e Maturës Shtetërore. Provimi i gjuhës së huaj me detyrim për herë të parë është administruar dhe vlerësuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, pasi dy vitet e mëparshme ky provim është administruar nga Drejtoria Arsimore dhe zyrat arsimore, pasi nuk kishte peshë në formulën e maturës.

Por këtë vit duke qenë se matura është një proces dalës, për maturantët pasha e pesë provimeve të maturës ka të njëjtën vlerë, pasi kriter për të hyrë në universitet është mesatarja aritmetike e provimeve të maturës dhe notave të tri viteve të gjimnazit. Një ditë para shpalljes së rezultateve të provimit të gjuhës së huaj, pra në datë 17 qershor, maturantët do japin provimin e matematikës, ndërsa dy provimet me zgjedhje i kanë në datë 24 qershor.

Rezultatet
Notat e provimit të gjuhës së huaj me detyrim, ku maturantët i nënshtrohen gjuhës së huaj që kanë gjuhë të par, dhe përfshihen anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht do të dalin ditën e shtunë. Niveli gjuhësor i këtij testi ishte B1. Sipas zv/ministres Nora Malaj, pjesëmarrja e maturantëve për provimin e parë, atë të gjuhës së huaj, është 39 246 maturantë 2015-2016 dhe 1146 maturantë të mbartur, në total 40 392 pjesëmarrës.

Rezultatet e mijëra maturantëve do të publikohen brenda ditës së shtunë, në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit www.arsimi.gov.al dhe në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve www.akp.gov.al. Sipas specialistëve të AKP, korrigjimi i tezave të maturantëve ka përfunduar, por aktualisht po bëhen verifikimet e rezultateve, pasi çdo test kalon në duart e tre vlerësuesve si dhe për të krijuar të dhënat statistikore.

“Korrigjimi i testeve të gjuhës së huaj me detyrim ka përfunduar ditën e hënë, por po shikohen rezultat në bazë të vlerësuesve, pasi çdo test korrigjohet dy herë për të shmangur çdo gabim njerëzor si dhe do të bëhet përmbledhja e të dhënave për të bërë statistikat e nevojshme”, kanë deklaruar specialistët e AKP-ës. Niveli i kalueshmërisë në provimin e gjuhës së huaj me detyrim është i kënaqshëm, pasi sipas të dhënave paraprake, kanë ngelur vetëm rreth një për qind e maturantëve. Ndërsa shpallja e rezultateve të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë sipas rregullores së maturës, do të bëhet jo më vonë se 15 ditë nga dita e zhvillimit të provimit, pra ritet të publikohen në datë 25 qershor.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: