Nga: Ermelinda Hoxha*

TIRANE- Të shtunën e javës që vjen, më 4 qershor, për 45 mijë maturantë do të nisë procesi i Maturës Shtetërore, me provimin e Gjuhës së Huaj me detyrim. Edhe këtë vit që Matura Shtetërore do të jetë një proces dalës për përfundimin e shkollës së mesme, maturantët do t’u nënshtrohen pesë provimeve, tri me detyrim dhe dy me zgjedhje. Testi i Gjuhës së Huaj me detyrim, e cila për maturantët do jetë në varësi se cilën kanë gjuhë të huaj të parë, pra anglisht, frëngjisht, italisht apo gjermanisht, do të ketë një nivel vështirësie B1. Në total testi do të ketë 25 pyetje, ndërsa totali i pikëve është 50. Edhe këtë vit, për maturantët që të konsiderohen kalues në provimet e maturës është i përcaktuar niveli dysheme i pikëve. Kjo risi e maturës ka hyrë në për herë të parë në Maturën Shtetërore 2014 dhe vijon ende, ndaj që një maturat që të quhet kalues, duhet të marrë 20% e testit. Kështu, maturantët në provimet me detyrim, përfshi edhe gjuhën e huaj me detyrim duhet të marrin jo më pak se 10 pikë në secilin prej tri provimeve që të konsiderohen kalues.
Testi&pyetjet
Testi i Gjuhës së Huaj me detyrim në nivelin gjuhësor B1 do të jetë i ndarë në 3 seksione, ku testohen: të kuptuarit e një pjesë letrare ose jo letrare. Përdorimi i gjuhës që përfshin aspektet më të rëndësishme gramatikore dhe leksikore, trajtuar në vitet e shkollës së mesme. Të shkruarit. Totali i pyetjeve është 25, ndërsa pikët maksimale që duhet të marrin maturantët janë 50. Dy pjesët e para kanë secila nga 20 pikë, ndërsa pjesa e fundit, shkrimi, ka vetëm 10 pikë. Në këtë pjesë maturantët duhet të shkruajnë një ese, një krijim, ose një letër me 75-100 fjalë. Ndërsa dy pjesët e para, të kuptuarit e një teksti të shkruar dhe përdorimi i gjuhës (gramatikë dhe leksik) kanë secila nga 12 pyetje dhe përbëjnë 80% të testit. Në total këto dy pjesë të testit të Gjuhës së Huaj me detyrim kanë 40 pikë. Në pjesën e parë të testitit ku do të lexohet një tekst, maturanti pyetet mbi përmbajtjen e tekstit, ushtrime me përzgjedhje fjalësh ose frazash, plotësimi i vendeve bosh me informacionin e duhur, ushtrime me përgjigje po/jo, ushtrime me e vërtetë/e rreme, pyetje me disa alternativa, pyetje ku i kërkohet marrja dhe përzgjedhja e informacionit të duhur nga teksti i dhënë, e cila pyetje do të ketë edhe vlerësimin më të madhe me 8 pikë, si dhe vendosja e paragrafëve sipas rendit të duhur në renditjen e ngjarjeve. Në pjesën e përdorimit të gjuhës, pesë pyetje, nga 13-17 do të jenë me plotësimin e vendeve bosh, vendosja e fjalës së duhur, 4 pyetje do jenë me vendosjen e foljes së duhur si dhe zëvendësimi i një fjale me të ngjashmen e saj.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: