TIRANË- Agjencia Kombëtare e Provimeve ka për caktuar procedurën për të gjithë ata maturantë, të cilët dëshirojnë të marrin një kopje të provimeve të Maturës Shtetërore. Sipas AKP-së, maturanti ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore, i cili do t’i kthejë dhe përgjigjen.

Megjithatë, ndonëse nxënësit kanë të drejtë të kërkojnë kopjen e testit, ky institucion saktëson se nuk do të ketë proces të rivlerësimit të testit. Referuar viteve të kaluara, vetëm në raste tejet të veçanta është realizuar një proces i tillë, por që gjithsesi nuk janë të përcaktuara kriteret se kur kjo mund të ndodhë.

Të interesuarit kanë afat deri në datën 1 korrik 2016 për të bërë kërkesën e tyre në shkollë për provimet D3 (Gjuha e Huaj me detyrim) dhe D1 (Gjuha Shqipe e Letërsia). Ndërkohë që, në këtë moment, ata duhet të dorëzojnë edhe faturën për arkëtim, e cila mund të shkarkohet në faqen online të AKP-së. Pagesa mund të kryhet në një bankë të nivelit të dytë ose në Postë, ndërsa vlera është 400 lekë.

Ndërkaq, brenda datës 04.07.2016, Komisioni i Maturës Shtetërore (KMSH) në Drejtoritë Arsimore Rajonale duhet të dorëzojë në AKP listën e kërkesave, ndërsa brenda datës 10.07.2016, AKP-ja përcjell në KMSH e DAR/ZA fotokopjet e testeve sipas kërkesave të maturantëve.

Rezultatet
Deri më tani maturantët janë njohur me rezultatet e Gjuhës së Huaj me detyrim dhe Letërsisë, ndërsa aktualisht është duke u korrigjuar provimi i Matematikës. Pak ditë më parë, drejtoresha e AKP-së, Rezana Vrapi bëri me dije për “GSH” se rezultatet e arritura në provimin e Letërsisë janë tejet të mira, duke qenë se vetëm 2 për qind e maturantëve rezultojnë mbetës.

Gjithashtu, rritja e nivelit të cilësisë, sipas saj duket edhe në notën mesatare, që për këtë provim është mbi 7. “Ajo që vihet re nga rezultatet e marra nga maturantët është se numri më i madh i notave janë 7-ta dhe 8-ta. Nga analizimi i rezultateve ne kemi më shumë nota mbi ‘7’ sesa nën ‘7’, dhe kjo tregon një nivel të mirë maturantësh.

Sa u takon nxënësve të shkëlqyer, rezulton se 1% kanë marrë 10-ta. Kjo do të thotë se ata kanë arritur të grumbullojnë 45-50 pikë”, – bëri me dije Vrapi, ndërsa theksoi se vetëm një maturant ka arritur të marrë pikët maksimale në test.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: