NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Sot nis plotësimi i for mularëve A1 dhe A1Z, për mijëra maturantë në portalin qeveritar, ‘e-albania’. Më pas, maturantët do të përfundojnë plotësimin e formularëve A1/A1Z, ku do të përzgjedhin dy lëndët që do të japin si provim me zgjedhje në portalin Portalin ‘Matura Shtetërore 2016’. Por ndërkohë, Ministria e Arsimit ende nuk e ka shpallur udhëzuesin për plotësimin e online të formularëve A1 dhe A1Z nga maturanti. Formulari A1 plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor, ndërsa A1Z plotësohet nga maturantët që kanë mbaruar gjimnazin para vitit 2016.

FORMULARI A1 & AFATET
Aplikimi për provimet e Maturës Shtetërore 2016 me formularët A1/A1Z fillon në portalin qeveritar ‘e-albania’ dhe përfundon në portalin e Maturës Shtetërore online. Aplikimi në portalin qeveritar ‘e-albania’ do të kryhet në periudhën 15-30 mars 2016. Ndërsa aplikimi në portalin ‘Matura Shtetërore 2016’ do të kryhet në periudhën 25 mars-10 prill 2016, sipas kalendarit të publikuar nga AKP. Por ama, edhe pse këto afate janë miratuar në Udhëzimin e Maturës Shtetërore 2016, institucionet e para që nuk kanë plotësuar afatet e kësaj rregulloreje janë MAS dhe AKP, pasi nuk kanë publikuar në faqet e tyre zyrtare hapat se si maturantët duhet të bëjnë plotësimin online të formularëve. Formulari A1 plotësohet online vetëm nga maturantët e vitit shkollor 2015-2016.

Në këtë formular, maturantët do të përcaktojnë dy lëndët që preferojnë për të dhënë si provime me zgjedhje. Për përzgjedhjen e lëndëve me zgjedhje janë tri kushte kryesore. I pari është se kur zgjedh një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht të njëjtën lëndë bërthamë (përjashtuar lëndët Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e Huaj). I dyti, shuma e krediteve të dy lëndëve me zgjedhje që do të përzgjidhen nga maturantët nuk duhet të jetë më pak se tetë kredite. I treti, maturanti ka të drejtë të zgjedhë vetëm një gjuhë të huaj si lëndë me zgjedhje, niveli gjuhësor i këtij testi do të jetë B2. Plotësimi online i formularit A1 nga maturantët e këtij viti shkollor bëhet në shkollën ku maturanti vazhdon mësimin. Procesi i plotësimit të formularit A1 ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”.

FORMULARI A1Z
Sipas rregullores së Maturës Shtetërore, formulari A1Z plotësohet online vetëm nga kandidati, i cili është individi që ka mbaruar Maturën Shtetërore përpara vitit 2016 dhe ka detyrim për të dhënë provimet e Maturës Shtetërore. Plotësimi online i formularit A1Z për kandidatët bëhet në shkollat ku kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur. Ata duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme:

1.Kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve të maturës. 2.Kopje të noterizuar e dëftesës së pjekurisë/vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi, lëshuar nga drejtori i shkollës, sipas regjistrit të amzës apo dokumentit të lëshuar nga arkivi i shtetit dhe legalizuar nga titullari i DAR/ZA-së. Në bazë të dokumenteve të paraqitura, KMSH-ja përcakton notën mesatare të viteve të shkollimit, si edhe notat e provimeve të detyruara D1 e D2, të cilat ia përcjell zyrtarisht shkollës ku kandidatët do të regjistrohen për në Maturën Shtetërore. 3.Vërtetimin e notave të provimeve të Maturës Shtetërore lëshuar zyrtarisht nga DAR/ZA-ja. Ky vërtetim i bashkëngjitet formularit të aplikimit A1Z dhe ruhet në shkollë. Procesi i plotësimit të formularit A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: