Provimi i Maturës Shtetërore në Berat, respektohen masat anti Covid brenda ambjenteve të shkollës por jo në radhët jashtë kangjullave. Maturantët beratas janë futur në shkolla të pajisur me maska e dorashka, si dhe ju është matur temperatura në hyrje.

Është çelur sot në të gjithë vendin sezoni i provimeve të Maturës Shtetërore. Edhe në Berat,provimi i gjuhës së huaj nisi nën masa sigurie për shkak të Covid-19.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se maturantëve para se të hynin në shkollë ju është matur temperatura dhe u janë dezifektuar duart, ndërkohë që të gjithë nxënësit ishin të pajisur me maska dhe doreza.

Këtë vit Ministria e Arsimit hartoi një rregullore të posaçme për zhvillimin e maturës shtetërore,për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Sipas kësaj rregulloreje, nxënësit që do të kishin temperaturë më të lartë se 37.5 ditën e provimit do të rrezikonin humbjen e provimit dhe do ta përsërisnin atë në vjeshtë por askush prej maturantëve në Berat nuk ka rezultuar me temperaturë në këtë provim.

Nga shkollat ku po zhvillohet provimi i parë i maturës shtetërore,është konfirmuar se janë dezinfektuar,ajrosur dhe higjenizuar të gjitha ambjentet e shkollave dhe në çdo klasë numri i nxënësve do të variojë nga 10-15.

Provimi i sotëm i gjuhës së huaj për maturën shtetërore do të pasohet në 11 Qershor me Gjuhën Shqipe,me Matematikën më 15 qershor dhe 18 qershor me provimin e lëndës me zgjedhje.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb