Maturantë beratas kanë protestuar sot kundër testimit të djeshëm të lëndës së Letërsisë. Një përfaqësi e maturantëve të shkollës së mesme të përgjithshme “Babë Dudë Karbunara” janë mbledhur në shenjë proteste përpara gjimnazit të tyre dhe më pas kanë marshuar drejt ZVA-së Berat.

Protesta e tyre dhe marshimi i sotëm janë kryer për të kundërshtuar tezën e djeshme të provimit të Letërsisë. Ata janë bashkuar për ta kundërshtuar këtë testim, që sipas maturantëve beratas, ishte mbi nivelin mesatar dhe jo i mirëorganizuar. Maturantët beratas kërkuan uljen e kufijve midis notave dhe mosllogaritjen e notës së provimit të Letërsisë në VKM.

Maturantët janë shprehur se teza e Letërsisë nuk i përfshinte 24 pyetjet e nivelit të ulët, ndërkohë që ndryshe nga maturat e viteve të mëparshme në testimin e djeshëm u përfshinë 2 poezi nga më të vështirat të Lasgush Poradecit, që e bënë këtë testim të ishte mbi nivelin mesatar. Edhe maturantët beratas të notës mesatare “10” kanë shprehur shqetësimin e tyre për vështirësi e këtij provimi, që i rrezikon mesataren për shkollat e larta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb