NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Një grup maturantësh i janë drejtuar ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, me një letër ku i kërkojnë informacione në lidhje me Maturën Shtetërore. Ky është viti i parë që Matura Shtetërore që prej krijimit të saj në 2006-ën, do të jetë një provim dalës për përfundimin e shkollës së mesme, dhe jo hyrës për në universitet. Në letrën e tyre, maturantët i kërkojnë ministres Nikolla informacione në lidhje me provimet me zgjedhje, se çfarë vlere do të kenë ato. Po ashtu ata kërkojnë informacion edhe për anglishten me zgjedhje.

Për herë të parë në këtë maturë do të përdoret testi “TOEFL Junior Standard Testi”, por sipas maturantëve, ata nuk kanë punuar me këtë metodë në tri vitet e gjimnazit. Edhe pse nga drejtues të MAS-it bëhet me dije se, për anglishten me zgjedhje do merret vetëm standardi i këtij testi ndërkombëtar, por fondi i pyetjeve do të bazohet në programet mësimore që maturantët kanë punuar në shkollë. Më gjatë, në kërkesën e tyre për informacion, maturantët me të drejtë janë ndalur te procedurat dhe kriteret e pranimit në universitet, pasi sipas tyre, ata janë në një terr informacioni, ndërkohë që nga nisja e provimeve të maturës i ndajnë vetëm tri javë.

“Si do realizohet përzgjedhja nga universitetet e mbi çfarë kriteresh? Nuk është cilësuar ende është mënyra e aplikimit për në universitet dhe si do bëhet përzgjedhja, pra hapat në të cilët do kalojë procedura dhe garantimi i transparencës”, shkruhet në letrën e maturantëve drejtuar ministres Nikolla. Janë mbi 45 mijë familje shqiptare që janë në ‘ethe’ për fëmijët e tyre nëse do të fitojnë një të drejtë studimi në universitetet publike, por informacioni që ata kanë është i cunguar, pasi ende qeveria nuk ka miratuar vendimin për mesataren-dysheme, që do të vendoset për të hyrë në universitet, por edhe udhëzimi se si do bëhen procedurat e aplikimit nuk është miratuar. Këtë vit nuk do të ketë Formular A2, ku maturantët rendisin 10 degët që preferojnë, por nga drejtues të MAS-it është thënë publikisht se do ketë një formular aplikimi, i cili do të miratohet në mesin e muajit korrik.

Letra e plotë
Ne si maturantë po ju drejtohemi me këtë kërkesë për një informacion të plotë e të detajuar mbi Maturën Shtetërore. Udhëzimet zyrtare dhe deklaratat publike lënë vend për krijimin e paqartësive, e për këtë arsye ndiejmë nevojën për t’ju paraqitur kërkesën për të marrë një informacion zyrtar në lidhje me një sërë pyetjesh, të cilat vijojnë si më poshtë:

1. Çfarë vlere kanë provimet me zgjedhje?
Sipas udhëzimit, provi-met me zgjedhje janë vetëm dalëse, dhe nuk do të ndi-kojnë në mundësinë për t’u pranuar në universitet. A do të thotë kjo se nuk ka rëndësi nëse provimet kanë profil shoqëror apo shkencor, sepse nuk ka asnjë pikësim diferencues midis të dyjave? Nxënësit që kanë zgjedhur lëndë të profilit shoqëror, mund të aplikojnë për degë shkencore dhe anasjelltas, pa asnjë ndryshim në koeficient?

2. Sa rëndësi do të kenë lëndët me zgjedhje të zhvilluara nga nxënësit gjatë tri viteve mësimore? A do të aplikohet ndonjë formulë ku përfshihen elementë të ndryshëm sipas koeficientit përkatës dhe a do të ketë ndonjë koeficient për lëndët me zgjedhje?

3. Në vitet e mëparshme, pjesë e formulës kanë qenë dhe koeficientet e shkollave. Si do operohet këtë vit dhe a do ketë diferencim midis shkollave të mesme?

4. Si do realizohet përzgjedhja nga universitetet e mbi çfarë kriteresh?
Nga çdo universitet janë shpallur kriteret e pranimit, si mesatarja-dysheme apo përqindja që zënë gruplë-ndët. Megjithatë, ajo çka nuk është cilësuar, është mënyra e aplikimit dhe si do bëhet përzgjedhja, pra hapat në të cilët do kalojë procedura dhe garantimi i transparencës.

5. Si do zhvillohet provimi i gjuhës angleze me zgjedhje?
Në udhëzimin e parë thuhet se gjuhët e huaja me zgjedhje (pra dhe anglishtja) do zhvillohen në nivelin B2. Më pas, në udhëzimin e fundit, i cili u bë publik pak para se të plotësonim Formularin A1, për anglishten ishte bërë një ndryshim. Provimi do zhvillohet sipas metodës ‘TOEFL’. Problemi qëndron te fakti që në tri vitet shkollore nuk kemi punuar me këtë metodë. Gjithashtu, paqartësia jonë është se nuk dihet si do procedohet për të realizuar seksionin ‘listening’, duke marrë parasysh mungesën e kushteve nëpër shkolla.

6. Në bazë të Kushtetutës, e drejta e ankimimit është e garantuar, çka do të thotë që duhet të përmbushen të gjitha hallkat mbështetëse edhe për ne maturantët nëse do të kemi kontestime për notën dhe mund të kërkojmë deri në fund ndryshimin e vlerësimit sipas asaj që meritojmë. Në udhëzimin e MAS-it kjo e drejtë na është mohuar. Do donim të dinim arsyen e këtij mohimi. Duke e bazuar këtë kërkesë në ligjin nr.119, “Për të drejtën e informimit”, i datës 17/10/2014, neni 3, jeni të lutur të na vini në dispozicion informacionin e kërkuar.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: