TIRANE- Çështja e pranimit të maturantëve në universitete dhe problematikat e rezultuara nga zbatimi i ligjit të arsimit të lartë, ka ngjallur reagimin e të gjithë aktorëve të përfshirë në proces. Dhjetëra maturantë kanë protestuar gjatë dy ditëve të fundit, pasi thonë se ndonëse me mesatarë të lartë, nuk kanë rezultuar fitues. Ata kanë kërkuar ndryshim të ligjit dhe të formulës së pranimit, madje edhe largimin e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

Lidhur me këtë çështje, Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar sot një mbledhje kryesie, për të diskutuar mbi rrugët që mund të ndiqen për zgjidhjen e kësaj problematike.

Kreu i LSI, Ilir Meta, është shprehur në mbështetje të ligjit për arsimit e lartë, por ka theksuar se këto problematika mund të zgjidhen pa bërë ndryshime në ligj.

Meta ka propozuar një bashkëpunim më të madh mes Ministrisë së Arsimit dhe Universiteteve, në mënyrë që pranimet e maturantëve në institucionet e arsimit të lartë të bëhen duke zbatuar tre parimet kryesore, meritë, preferencë, dhe transparencë.

“Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet i qartë në mbështetje të ligjit të miratuar për arsimin e lartë, por gjithmonë duke respektuar frymën e tij, me qëllim zgjidhjen e problemeve, dhe jo krijimin e problemeve për gjithë të rinjtë, bazuar në sistemin për meritë, preferencë dhe transparencë. Nga diskutimet e bëra deri më tani edhe me grupet e maturantëve, aplikantëve, por edhe prindërit e tyre, dhe me përfaqësuesit e universiteteve, është e qartë se nevojitet një bashkëpunim më i madh mes MAS dhe universiteteve për të zgjidhur problemet e rezultuara. Vetëm kështu mund të kemi një situatë të pranueshme, ku jo vetëm të rinjtë, por edhe familjet e tyre të mund të gjejnë qetësi. Grupi ynë parlamentar i ka ngritur shqetësimet për këtë çështje, dhe rëndësinë për zgjidhjen e tyre. Dhe kemi besim se edhe pa bërë ndryshme në ligj, mund të ketë zgjidhje shumë të mira, që zbatojnë tre parimet kryesore, të meritës, preferencës, dhe transparencës”, tha Meta.

Një ditë më parë, deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj, tha se do të bënin disa propozime në Ministrinë e Arsimit në mënyrë që t’u jepej zgjidhje problematikave me të cilët janë ndeshur këtë vit, maturantët që kanë aplikuar për të ndjekur studimet e larta në vend.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb