Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me protestën e maturantëve për provimin me lëndët me zgjedhje.

Në një dalje për mediat, anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari tha se kjo qeveri ka krijuar kolaps në sistemin arsimor.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Testi i Maturës është një tjetër tregues i paaftësisë së qeverisë.

Indinjata e tyre, është shenjë se të rinjtë janë gati t’i thonë mjaft kësaj paaftësie që u bëhet barrë.

Deputetët e Partisë Demokratike në një interpelancë me ministren e Arsimit, prej muajsh kanë kërkuar teste pilot për të parandaluar atë që po ndodh sot.

Në ngut e sipër, duke shpërfillur thelbin dhe lartësuar propagandën, Qeveria ka harruar se kjo maturë del nga 2 vite pandemi.

Një administratë që e bën punën dhe e ka nxënësin në qendër të programeve dhe shqetësimeve, duhet ta kishte marrë parasysh këtë.
Kjo pandjeshmëri ka çuar në këtë kolaps.
Partia Demokratike mbështet të drejtën e maturantëve për protestë, dhe u kërkon t’a mbajnë zërin lart, me forcën dhe idealizmin e moshës.
I bëjmë thirrje qeverisë të punojë për zgjidhjet, jo të fshihet e të justifikohet.
Nuk do të lejojmë që, edhe një brez tjetër i zhgënjyer, t’i bashkohet Armatës së Shpopullimit të Shqipërisë, që është shtuar në mënyrë dramatike gjatë qeverisjes së Rama dhe Company.

Shqipëria është në Rrezik.

U bëjmë thirrje maturantëve, studentëve, dhe të gjithë të rinjve, që t’i bashkohen protestës së Frontit të Shpëtimit Kombëtar më 7 korrik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb