Albiona Manço, maturantja shqiptare vlerësohet me 18.750 pikë në provimet shtetërore, duke u renditur e para në degën Informatikë të “OPA” Universiteti Ekonomik i Athinës.

E ardhur nga një familje emigrantësh shqiptarë, ka thyer rekord duke u vlerësuar sipas sistemit grek 20 në Informatikë, 20 Ekonomi, 18,6 Matematikë dhe 16.4 Gjuha Greke- Letërsi, por nuk është vetëm kjo arritja e maturantes shqiptare. Albiona Manço nuk ka ndjekur aspak traditën e njohur të sistemit grek me kurset private të jenë pjesë e pandarë e shkollimit të të gjithë fëmijëve. Përkundrazi, Albiona ka deklaruar se “nuk pranova kurrë të shkoj në kurse private pas shkollës. E njoh mirë veten time, e di sa kohë më duhet të përvetësoj një lëndë, koha dhe mundimi që duhet të investoj, kurset private thjesht do më privonin nga aktivitetet e tjera jashtëshkollore, që për mua janë njësoj të rëndësishme”.- thote ajo.

Albiona ka dhënë kështu një ndihmë të madhe në familjen e saj emigrante, pasi në Greqi thuajse të gjitha familjet me fëmijë gjimnazistë, nëse duan të studiojnë në auditoret e larta, duhet të paguajnë shuma jashtëzakonisht të larta, në kurset pas shkollore.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

Ajo thotë krenare se “çdo gjë që bëj dua të jetë perfekte, nëse nuk arrij nivelin më të lartë, askush nuk do mësojë kurrë për angazhimin tim. Ky rezultat është piedestali në të cilin ngjitesha gradualisht me ndihmën e mbështetjen e prindërve të mij, nga klasa e parë fillore. Pandemia ishte një tjetër eksperiencë e vlefshme, me telemësimet, karantinën, më dhanë kohë dhe përvojë për të ardhmen”.

Albiona, nxënëse e shkëlqyer, paralelisht ishte dhe pjesëmarrëse në çdo aktivitet shkollor, duke dalluar sidomos në shfaqjet teatrale. Mësuesit dhe drejtori i Liceut flasin me fjalët më të mira për 18-vjeçaren shqiptare që theu mitet shumëvjeçare greke.

Drejtori i Liceut të Përgjithshëm Nr 2 Nea Ionia, Nikos Kokinakis, me entuziazëm e krenari thotë për Albionën “Kishte fatkeqësinë mos të niihte drejtor tjetër në arsimin e mesëm, kisha fatin e madh të ishte nxënësja ime 3 vjet gjimnaz dhe 3 lice. Një fëmijë inteligjent, e shkathët, e dashur, aktive, penë e artë në gazetën e shkollës, sidomos reportazhet për lëndët ekzakte, fizikën, merrte pjesë në çdo aktivitet, duke kontribuar për programe mbështetëse për familjet në nevojë. Albiona, vajza e një nëne emigrante nga Vlora, babai emigrant nga Korça, por edhe fëmija ynë këtu në Nea Ionia, një familje që përveç problemeve ekonomike, përballej me problemet e vështirësitë e integrimit, sot na ka bërë të gjithëve të lumtur, e ka shumë akoma për të ofruar. Urime e suksese për Albionën dhe prindërit e saj të mrekullueshëm, janë shumë pak, meritojnë shumë, shumë më tepër”- ka përfunduar drejtori i shkollës së Albionës.

Me superlativa, fjalë plot dashuri e urime të përzemërta kanë folur edhe mësuesit e lëndëve të Informatikës, Ekonomisë e Filologjisë së Albiona Manço, tepër të emocionuara për suksesin e nxënëses së shkëlqyer nga Shqipëria, që ka mahnitur mbarë opinionin publik në Greqi.
Albiona është fëmijë i vetëm, prindërit erdhën në Greqi dhe e lindën këtu. Në fillore ishte e vetmja nxënëse e huaj dhe për këtë thotë “disa herë ndjehesha e huaj, ndryshe, nuk ishte e lehtë si fëmijë emigrantësh, duke u rritur, në gjimnaz e lice u qetësova se kishte dhe fëmijë të tjerë të huaj. Si përfundim, diskriminimi sado i kufizuar që përjetova, më forcoi, më bëri më të përgatitur e të matur”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb