Ka qenë një nisje jo e mirë e kuqezinjve në Austri që pësuan dy herë në harkun kohor të pak minutave, mirëpo ndeshja mund edhe të ishte barazuar. Për mbrojtësin e Kombëtares, momenti i pësimit të golave ka qenë një keqkuptim mes lojtarëve të prapavijës. Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Mërgim Mavraj tregon thirrjen e Canës në atë moment që rezultoi fatal në përfundim të takimit.

Pësimi i golave Mbrojtësi ka folur për pësimin e golit të parë si dhe për atë që duhet të bënte skuadra në momentet që arriti të krijojë raste në portën e kundërshtarit. “Pësimi i golit të parë në atë mënyrë është diçka që ndodh edhe te skuadrat më të mira. Kemi bërë mirë edhe gjatë fraksionit të parë të lojës, mirëpo nuk patëm cilësi në zonë”, ka deklaruar mbrojtësi.

Thirrja e Canës Te momenti i golit të dytë, Mërgim Mavraj tregon komunikimin me kapitenin e skuadrës dhe fjalën e tij në atë moment, që solli edhe pësimin e golit të dytë. “Në momentin e golit të dytë, unë e zotërova situatën. Por, Loriku më tha: ‘Je vetëm. Lëre topin’ dhe unë ashtu veprova, pasi nuk kisha çfarë të bëja tjetër”, deklaron mbrojtësi i Këlnit. Një keqkuptim që në fakt i dha mundësinë Martin Harnikut që të dyfishojë rezultatin për Austrinë. Shqipëria kishte një tjetër paraqitje në fraksionin e dytë të lojës dhe pavarësisht se nuk ia arriti që të barazonte takimin, bëri përpjekje maksimale për të rrezikuar portën e Austrisë, edhe pas shënimit të golit të Lenjanit.

Paraqitja Sipas Mavrajt, në fraksionin e dytë të lojës ka qenë një tjetër paraqitje dhe skuadra ka bërë një ndeshje pozitive. “Pjesa e dytë ishte shumë, shumë e mirë nga ana jonë, pavarësisht se nuk barazuam dot”, është shprehur futbollisti i Kombëtares për “Panorama Sport”, në përfundim të takimit të djeshëm.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: