TIRANË

Opozita akuzon maxhorancën në Komisionin Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit se ka një strategji për të penguar veprimtarinë e tij.

Kreu i Komisionit Hetimor, deputeti i PD Enkelejd Alibeaj foli pas largimit të deputetëve socialistë nga mbledhja, duke akuzuar maxhorancën se kërkon që me forcën e kartonëve të kufizojë të drejtën e deputetëve të opozitës për të hetuar.

“Sot u mblodhëm në mbledhjen e komisionit hetimor ajo e cila dështoi dy ditë më parë për arsye që janë publike, mospjesëmarrja e PS. U mblodhëm sot sipas njoftimit me të njëjtin rend dite. Rendi i ditës i mëparshmi, pasi miratuam 4 pikat e para, e fundit ishte pika e rregullores. Kërkuan kohë, dy ditë kohë, nuk erdhën në ditën e caktuar dhe sot u mblodhëm dhe siç u ra dakord caktuam nga 2 përfaqësues për secilën palë, të cilët relatuan sot nëse kishin arritur një dakordësi apo jo mbi një draft. Nuk ishte arritur në dakordësi dhe për këtë arsye ishte e detyrueshme të kalohej në votim. U miratua pa asnjë votë kundër dhe befasisht u larguan të gjithë anëtarët e PS. Kjo është një strategji për të pamundësuar mbledhjet. Pa asnjë arsyetim”, deklaroi Alibeaj.

Përplasja opozitë-maxhorancë në komision ka ardhur pas mosdakordësisë për rregulloren e komisionit, ku PS ka bërë dy propozime që nuk janë dakordësuar nga opozita.

“Dy ishin propozimet e palës tjetër, drejtimi komisionit, ligji e përcakton fare qartë. Propozimi tjetër ishte akoma më i rëndë dhe demaskon qëndrimin e PS. Një çështje që ka pasur debat por që është zgjidhur fare qartë, bëhet fjalë për të drejtën e çdo anëtari të komisionit hetimor për të kërkuar marrjen e provave dhe kjo e drejtë pranohet pa votim. Është e drejtë e çdo anëtari të kërkojë dokumente, ballafaqim dhe ekspertë. E drejta për të hetuar. Komisioni hetimor është kërkuar nga opozita, e drejta e opozitës për të hetuar sipas ligjit është e fituar dhe nuk votohet. Kërkesa për hetime, për të marrë prova, për të thirrur kryeministrin, ministrin, apo çdo titullar, duhet t’i nënshtrohet votimit, votimit nga shumica socialiste. Është e thjeshtë për t’u kuptuar se çdo kërkesë e deputetëve për të votuar do të rrëzohej me forcën e kartonëve. Për këtë arsye nuk u ra dakord dhe për këtë arsye ishte dhe largimi”, tha Alibeaj.

Ai theksoi se baza normative për funksionimin e komisioneve hetimore është e plotë. “Ka dhe një rregullore që është rregullorja e Kuvendit. Komisioni e ka të gjithë bazën normative për të funksionuar në forcë të plotë, për këtë arsye më 27 tetor është caktuar dhe mbledhja e radhës së Komisionit hetimor, mbledhje ku do të ecet para me kërkesat për marrje dokumentacioni. Kjo është situata, e kuptojmë fare qartë që ka një strategji të demaskuar tashmë për të penguar veprimtarinë e Komisionit”, deklaroi deputeti i PD.

I pyetur nëse pret rezultate konkrete nga ky komision opozita, ai tha se e drejta e hetimit do të shkojë deri në fund

“Kërkojnë që me forcën e kartonit të kufizojnë të drejtën e deputetëve për të kërkuar prova, të drejtën e opozitës për të hetuar. Ligji na jep të drejtën çdo deputeti të kërkojë prova dhe kjo nuk i nënshtrohet asnjë votimi. Ligji për komisionet hetimore, rregullorja e Kuvendit i ka instrumentet. E drejta e hetimit do të shkojë deri në fund, do të thirren dëshmitarët, do të merren dokumentet, do të thirren ekspertët.

Në 2 orë e 38 minuta secilit nga përfaqësuesit e maxhorancës, për replikë, për duplikë, për diskutimin në parim që e bëmë iu dha në mënyrë të barabartë fjala. Do vazhdoj në këtë mënyrë, në zbatimin e rregullores, të ligjit për t’i dhënë të drejtën çdo deputeti të flasë, të kërkojë prova”, u shpreh Alibeaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb