Ish-deputeti i PS Ervin Bushati ka deklaruar nga studio e emisionit “Kjo Javë” në lidhje me zgjedhjet e 14 majit se sfida e Partisë Socialiste do jenë bashkitë të cilat tradicionalisht kanë qenë të djathta sa u përket bindjeve politike.

Sakaq, ai shtoi se opozita në vend ka ndikuar edhe në paraqitjen dhe rendimentin e punëve të qeverisë, duke mos qenë në ditët e saj më të mira, pasi sipas tij PS do punonte më mirë nëse do kishte një opozitë më të fortë.

“Ka dy arsye për ri kandidimin e kryebashkiakëve. Kemi harmonizim ekipesh në PS dhe duhet të kemi shumë njerëz në terren gjithmonë në funksion të fitores. Shumica do rikonfirmohen sepse kanë punuar mirë dhe kanë pasur arritje. Unë mendoj se risia këtë herë kanë qenë kryebashkiakët që kanë drejtuar punën në bashkitë tradicionalisht të djathta pasi kanë përçuar frymë të re në këto vende. Në Tiranë nuk ka garë, në Korçë nuk ka garë, në Fier jo, në Elbasan, etj. Nuk ka për të pasur surpriza. 75% e qytetarëve shqiptarë do kenë një kryebashkiak socialist në këto zgjedhje, ku 1/3 e tyre është vetëm Tirana.

Sfida jonë do jetë në qytetet që kanë qenë tradicionalisht të djathta. Tri mandate sjellin eksperiencë më të mirë, ka grup parlamentar të fortë.

Protestat e tyre janë adrenalinë për militantët. Unë e di se si është të jesh në shkretëtirën e opozitës, është e vështirë. Për të mbajtur militantët duhet të mbash shpresën. Revolucioni i tyre filloi në Shën Valentin dhe mbaroi Ditën e Verës. Ku është sot revolucioni, ku është Berisha që thoshte mos ma prekni logon. Berisha i ka bërë llogaritë gabim, e gjitha bëhet që SHBA ta njohë si pjesë dhe të ulen me të në tavolinë dhe t’i heqin non-gratën ndoshta. Berisha e di që nuk vjen në pushtet, do vetëm të heqë njollën. Berisha sot është si një kandidat steril, nuk jep dot rezultat.

PD është nga një krah me një lider që nuk e do njeri në botë, nga krahu tjetër kanë një që nuk e duan vetë por mund ta dojë bota. Nuk ka lindur ende dikush që të sfidojë Ramën politikisht. PS do punonte më mirë nëse do kishte një opozitë të fortë. Populli nuk e meriton këtë opozitë të degraduar”, u shpreh Bushati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: